Për shumicën e gastronomëve, hapja e restoranteve nuk ia vleu. Nëntë nga dhjetë prej tyre shënuan shifra negative

Restorantet dhe pijetoret mund të hapen përsëri. Por për shumicën e njerëzve nuk ia vlen. Këtë e dëshmon një studim i madh në këtë sferë.

Gastronomët vazhdojnë të operojnë në modalitetin e krizës. Dhe me shifra negative: Gastrosuisse, shoqata e punëdhënësve të gastronomisë zvicerane, ka kontaktuar anëtarët e saj gjatë ditëve të kaluara dhe ka dashur të mësoj se si kaluan.

Sondazhi, në të cilin morën pjesë më shumë se 3000 kompani, është në dispozicion të “SonntagsBlick” kësja të diele. Rezultati: Sektori është në gjendje të mjerë, transmeton Shtegu.com.

Sondazhi u krye nga 19 deri më 21 maj. Në të, gastronomët japin informata për përvojat e tyre në javën pas 11 majit, të hënën e rihapjes.

Në shikim të parë, ekziston një sferë që po fillon të punojë shpejt: 87 për qind e restoranteve dhe hoteleve të anketuar përsëri janë duke pranuar mysafirë. Pothuajse katër për qind deklaruan se ata duan të fillojnë vetëm kur qeveria federale t`i heq plotësisht masat mbrojtëse. Nëntë për qind po mendojnë të rifillojnë në maj ose qershor.

Sipas kësaj, edhe një herë kanë filluar të konsumohen birrat në Zvicër, shërbehen kafe dhe meny. Por menxhuesit po paguajnë një çmim të jashtëzakonshëm për këtë: Praktikisht në mbarë vendin, janë konsttauar rezultate më të ulëta të shitjes. Pothuajse nëntë nga dhjetë lokale (87.3 për qind) deklarojnë se ata aktualisht janë duke shkruar në humbje dhe vetëm rreth 13 për qind presin ndonjë fitim – apo ndoshta sa për të mbuluar kostot e tyre.

Assesi nuk mund të vihet në pyetje kompensimi i humbjeve gjatë masave mbrojtëse – ajo që ka humbur për dy muaj, aktualisht nuk po kompensohet. Megjithatë, në zonat rurale, rezultatet kanë tendencë të jenë më të mira sesa në qytete.

Presidenti i Gastrosuisse Casimir Platzer (58) kërkon një lehtësim të shpejtë të dispozitave mbrojtëse për gastronominë. “Rregulli i distancës midis tavolinave na vendos kufij shumë të ngushtë”, kritikon ai. “Ne përgjithësisht i kuptojmë masat që qeveria federale na imponon. Por në praktikë rezulton se është pothuajse e pamundur të funksionosh me përfitim në këto kushte”, thotë Platzer.

Numri maksimal i mysafirëve për tavolinë është i kufizuar në katër persona, me përjashtim të familjeve me fëmijë. Midis grupeve kërkohet një distancë minimale prej dy metrash. Sidoqoftë, nuk është e detyrueshme të regjistrohen detajet e kontaktit të të gjithë miqve, në kundërshtim me atë që ishte menduar fillimisht. Hulumtimi tregon gjithashtu se kantonet i zbatojnë këto rregulla: Gjatë periudhës së studimit u kontrolluan 24 për qind e restoranteve.