Ishte viti i largët 1987, kur Halit Gashi nga fshati Begracë i Komunës së Kaçanikut, në mungesë të kushteve elementare për ta realizuar në vepër intelektin e tij në studime dhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar të afërmit e tij, për shkak të okupimit që e kishte zbatuar shteti serb në Kosovë, për herë të parë vendosi të marr rrugën e mërgimit, duke udhëtuar në një vend të panjohur, ku do ta prisnin çaste të mundimshme deri në momentin që ai të vendosej përfundimisht në Zvicër.

Si edhe çdo bashkëkombas i yni, edhe ai kishte baticat dhe zbaticat e tij gjatë jetës në mërgim, në kohën kur nevoja për t`i dal atdheut në ndihmë ishte tepër e madhe, pasi Serbia gjithnjë e më shumë po zbatonte politikën shfarosëse të çdo gëje që ishte shqiptare. Duhej vepruar shpejt dhe me sakrificë të madhe, ndoshta duke lënë anësh edhe kafshatën e gojës për të ndihmuar vendlindjen në lloj-lloj forma të ndryshme, si në aspektin ushtarak, po ashtu edhe në ate humanitar e moral.

Baci Halit nuk ndalej asnjëherë, ishte gjithnjë në krye të sfidave më të rënda për të ndihmuar në çështjen kombëtare.

Pas përfundimit të luftës, edhe familja e Bacit Halit po shkon gjurmëve të babait, duke ndihmuar në forma të ndryshme në vendlindje. Dy vëllezërit Arben dhe Esad Gashi e themeluan kompaninë me renome “AEG Montage Technik GmbH” në Gurmels, e cila ka një jehonë tepër pozitive në rrethinën e Kantonit Fribourg, ku edhe banojnë për vite të tëra.
Kohëve të fundit, familja e Halit Gashit dërgoi një ndihmë prej 50 pakove me artikuj ushqimorë në Kaçanik, për familjet skamnore. Një informatë të tillë e ka publikuar Shtabi Emergjent Komunal për parandalimin e COVID 19 në Kaçanik, informon Shtegu.com. Me këtë rast Kryetari i Komunës Besim Ilazi, falënderoi mërgimtarin Halit Gashi nga Zvicra, i cili në këto ditë të vështira ndihmoi për qytetarët e Komunës së Kaçanikut, ndërsa ky gjest le të jetë një shembull për të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë qytetarët tanë, ka theksuar kryetari. Kryebashkiaku Ilazi më tej falënderoi po ashtu të gjithë ata që ndihmuan në forma të ndryshme qytetarët dhe institucionet shëndetësore.