Vendimi i Këshillit Federal për t`i mbyllur të gjitha dyqanet që nuk janë thelbësore për jetën, i ka goditur gjithashtu shumë edhe floktarët e pavarur. Por, shumica e të pavarurve dhe klientët nuk e çajnë shumë kokën për virusin.

Kërkesa e Këshillit Federal është e qartë: të gjitha bizneset përveç dyqaneve ushqimore dhe barnatoreve duhet të qëndrojnë të mbyllura deri së paku më 19 prill. Një tronditje për të gjithë të vetëpunësuarit, përfshirë edhe sferën e floktarisë.

Përkundër ndalesës nga Këshilli Federal zviceran, disa ende po përpiqen të fitojnë të holla nga zeja e tyre. Ata vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e tyre nëpër rrjetet sociale dhe në këtë mënyrë duan t`i anashkalojnë rregullat. Gazeta “Blick” i është paraqitur një floktarie përmes një shpallje përkatëse, por floktari ilegal ia ka lëshuar menjëherë dëgjuesen, kur i është kërkuar të komentojë.

«Puna ilegale në shtëpi është absolutisht e papërgjegjshme dhe jashtligjore. Ajo mund të ndiqet penalisht dhe të rezultojë deri në tre vite burg”, thotë për “Blick” Damien Ojetti, kryetar i “coiffureSUISSE”, transmeton Shtegu.com.

Ai gjithashtu ka dëgjuar zëra për biznes të tillë të paligjshëm, por nuk është çuditur aspak: «Në sferën tonë ka pasur gjithmonë punë të padeklaruara. Këtu, situata aktuale është një tjetër katalizator».

Presidenti i shoqatës raporton për pasojat katastrofike financiare, veçanërisht për të vetëpunësuarit: “Shumë prej tyre kanë frikë të justifikuar të ekzistencës, sepse qiraja, energjia elektrike, uji dhe faturat e tjera do të duhet të paguhen edhe më tej”.

Prandaj Damien Ojetti ka frikë se pa ndihmë financiare shumë sallone do të falimentojnë. Për këtë arsye, ai i shkroi një letër Sekretariatit Shtetëror për Ekonomi (SECO). Ai ka theksuar: “Sfera jonë ka nevojë të menjëhershme për para dhe mbështetje”.

Carmen K. nga Graubündeni, për disa vite ka qenë një floktare mobile dhe flokët e klientëve të saj i shkurton në shtëpi. Me gjithë ndalimin, ata ende marrin kërkesa nga klientët, por: “Unë i refuzoj rreptësisht ata. Është thjesht e ndaluar dhe ka të bëjë me shëndetin e të gjithë neve», thotë ajo.

Sidoqoftë, ajo kishte dëgjuar gjithashtu për punën e padeklaruar të disa floktarëve që po vazhdojnë t`i shkurtojnë flokët e klientëve të tyre nëpër shtëpi. K ankohet: “Është e papërgjegjshme dhe e padrejtë për floktarët, të cilët i përmbahen ligjit dhe mund të humbin klientët”.