Para rreth një jave, u larguan edhe banorët e fundit nga strehimi kantonal (ORS) për azil në Frick – tre vitet e kaluara për drejtorin e qendrës Fehmi Lestrani kaluan fluturimthi.

Kanë kaluar rreth tre vite që kur 20 personat e parë u vendosën në strehimin kantonal të azilit ORS në ish-punëtorinë A3 në Frick. Në kohën e nevojshme, rreth 160 azilkërkues u strehuan në “Container Dörfli” – i ashtuquajtur për shkak të kontejnerëve të vendosur në punëtorinë A3. Në muajt e fundit, strehimi në azilit ishte gjithnjë e më i zbrazët, derisa katër banorët e fundit u larguan nga vendi në orën 09:00 të së mërkurës së kaluar.

Për drejtorin 47-vjeçar të qendrës, Fehmi Lestrani, i cili ishte përgjegjës për t`u përkujdesur për azilkërkuesit me njëmbëdhjetë punonjës të tjerë të ORS Service AG, koha ka kaluar fluturimthi. Ai nuk dëshiron të fshehë faktin se tashmë është pak krenar, se ai ishte në gjendje të strukturonte bashkëjetesën midis grupeve të ndryshme etnike në atë mënyrë që të mos kishte asnjëherë incidente të mëdha. “Sigurt, dhoma e izolimit në të cilën kemi strehuar banorë, për shembull kur ata u treguan agresivë ndaj shokëve të tjerë të dhomës pasi pinin alkool, ishte okupuar herë pas here”, thotë Femiu për “Aargauer Zeitung” transmeton Shtegu.com. Në përgjithësi, bashkëpunimi midis organizatave të ndryshme, përfaqësuesve të komunës, kantonit, vullnetarëve dhe përfaqësuesve të banorëve, funksionoi në mënyrë perfekte.

Sipas Fehmiut, ishte e rëndësishme të sigurohej akses te banorët e akomodimit përmes kujdesit për empatinë, por prapë të ruhej distanca e nevojshme për t’u perceptuar si një figurë autoritative. “Për shkak se këtu erdha nga Kosova në vitin 1996 si refugjat, disa banorë me shpejtësi menduan se mund ta vendosja veten në situatën e tyre – kjo sigurisht që e bëri punën time pak më të lehtë”, thotë Fehmiu. Nga ana tjetër, disa nga banorët e panë Fehmiun si “vëllain” e tyre, për të cilin mendonin se për ndonjërin mund të bënte më shumë e për të tjerët më pak. Është e qartë se menaxheri shqiptar i qendrës ORS dhe ekipi i tij kurrë nuk kanë menduar për një gjë të tillë.

Ndonjëherë Fehmiu edhe stërngarkohej me kërkesat e banorëve të dëshpëruar kur e lusnin dhe i kërkonin ndihmë. Për shembull, për të gjetur nënën apo vëllain që ishin gjithashtu në arrati. Ose për të ndihmuar familjen e një banori që ka ngecur gjatë dimrit në një tendë në kufirin e Bosnjës. «Nuk ishte edhe aq lehtë. E vetmja gjë që unë gjithmonë mund t’u premtoja atyre ishte që unë po i dërgoja shqetësimet e tyre në departamentin e duhur”, thotë Fehmiu.

Për Fehmiun ishte e rëndësishme që banorët kanë qenë në gjendje të integrohen profesionalisht gjatë qëndrimit të tyre. Për këtë qëllim, ai ishte i përfshirë në një projekt në të cilin ai i ndihmoi banorët në ndërmjetësimin e ndonjë vendi të punës nëpër kompanitë e ndërtimit, ndërmarrjet bujqësore apo ndërmarrjet ricikluese për disa javë punë. “Në disa ndërmarrje, ndonjëherë kishte një efekt pozitiv kur ata vinin re se refugjati nga Afganistani mblidhte qershi më shpejt në ditën e parë sesa ndihmësit e tjerë të korrjeve”, thotë Fehmiu. Kështu ndodhi që disa azilkërkuesve iu ofruan një vend praktike apo një vend të përhershëm pune nga kompania.

Deri në fund të marsit, punonjësit e ORS-së do t`i çmontojnë shtretërit dhe dollapët e fundit dhe do të sigurojnë që hapësirat të jenë të pastra. Fehmiu më pas fillon me punë në shërbimin social kantonal. «Kur ​​erdhi oferta, unë isha vërtet i lumtur. Për mua është një shenjë vlerësimi se kemi bërë shumë gjëra të duhura”, thotë Fehmi Lestrani.