24.02.2020

Kur përpiqemi të mësojmë një gjuhë të huaj, shumë prej nesh ankohen se nuk memorizojnë dot fjalët e reja. Të mësosh fjalët e një gjuhe të  huaj mund të jetë e vështirë, sidomos për të rriturit, mendja e të cilëve është e ngarkuar me punën, familjen dhe përgjegjësi të tjera. Por, gjuhëtarët thonë se për të “mbijetuar” në një shtet/gjuhë të huaj, për situata të tilla si: të kërkosh një taxi ose një numër telefoni, nevojiten rreth 120 fjalë bazë. Është një synim i arritshëm dhe një fillim i mbarë, për ata që e mësojnë gjuhën për herë të parë.

1.      Vendosni qëllime të realizueshme


Harrojini fletët e fletoreve të mbushura me fjalë të reja, ose fjalorët e mëdhenj. Ekspertët thonë se studentët janë të aftë të mësojnë 10-20 fjalë gjatë një ore studimi. Nëse ju studioni 15 minuta në ditë, vendosini qëllim vetes të mësoni 20-25 fjalë dhe fraza në javë. Ju duhen vetëm gjashtë javë derisa ta keni mësuar “kutinë tuaj të ndihmës së shpejtë” prej 120 fjalësh.

 2.      Grupimi i fjalëve


Ato aplikacionet që ju mësojnë një fjalë në ditë, mund të duken të përshtatshme, por nga ana tematikore, ato ju sjellin një zinxhir fjalësh pa lidhje njëra me tjetrën: zarf, i lodhur, janar, marr, lexoj. Përqëndrohuni në një temë të vetme çdo javë. Mendja i grupon natyrshëm fjalët, kështu nëse mësojmë psh. motin dhe kohën në një mësim dhe pjesët e trupit në tjetrin, truri në mënyrë harmonike arrin t’i klasifikojë/grupojë këto informacione.

3.      Shmangni antonimet


Mund të duket e logjikshme të studiojmë antonimet e fjalëve: nxehtë/ftohtë, e madhe/e vogël- nuk është ajo cka sugjerohet në fakt! Mund të ndodh që duke i mësuar këto fjalë lidhur ngushtë me njëra-tjetrën përfundoni duke i ngatërruar kuptimet e fjalëve. Në vend të kësaj, mësoni njërën fjalë në fillim dhe pasi ajo të jetë ruajtur në kujtesë mësoni tjetrën.

 4.      Lexoni, lexoni, lexoni


Leximi ju ndihmon të rishikoni fjalorin e mësuar dhe t’i shihni ato fjalë në fjali dhe kontekste të reja. Një burim fantastik i ekspozimit ndaj gjuhëve të huaja është përmes “Graded readers”, të cilët janë libra të krijuara posaçërisht për nxënësit e gjuhës. Një tjetër burim i mirë janë reklamat ose menutë, të cilat zakonisht përdorin tekste të shkurtra.

 5.      Mësoni fraza të plota


Linguisti Michael Lewis nxit mësimin e gjuhëve nëpërmjet copëzave leksikore. Një pjesë e mirë e komunikimit të përditshëm përfshin fraza të tilla si: “kthehuni majtas,” “vetëm një minutë” “kënaqësi që u njohëm,” etj. Kur mësoni një gjuhë të re, memorizojini këto fraza dhe do të keni një arsenal gati për bashkëbisedim, pa u stresuar  për ndërtimin e fjalive nga zeroja./Sapientify