Një natë tmerri në qytetin Hanau e ka tronditur Gjermaninë! Gjatë mbrëmjes së vonshme të së mërkurës janë shkaktuar dy të shtëna. Të paktën tetë njerëz janë vrarë dhe pesë njerëz janë të plagosur. Autori apo autorët e krimit, deri mëngjesin e së enjtes janë ende në arrati.

Kjo është konfirmuar nga një zëdhënës i policisë gjermane, mëngjesin e hershëm të së enjtes. Aktualisht është duke vazhduar operacioni policor.

Nata e tmerrit në Hanau filloi rreth orës 22.00. Të shtënat janë shkrepur në dy lokacione të ndryshme. Një skenë krimi është shisha bari “Midnight” në Heumarkt, një zonë në qendër të qytetit. Aty janë vrarë tre persona. Autori apo autorët janë arratisur me një automjet të errët, raporton gazeta “BILD”, transmeton Shtegu.com.

Pas një kohe të shkurtër janë shkrepur edhe të shtëna të tjera në një vend tjetër që ndodhet në rrethin Kesselstadt, rruga Karlsbader Strasse, në një restorant të quajtur “Arena Bar & Café”. Autori apo autorët e krimit së pari cingëruan në zile dhe më pas u futën në zonën e pirjes së duhanit. Aty ata qëllojnë në mënyrë të egër. Viktimat sipas “BILD”: janë pesë të rinj, përfshirë edhe një grua.

Ka edhe informata të pakonfirmuara se ka pasur edhe të shtëna të tjera në pjesë tjera të qytetit në Hanau. Natën e së enjtes, policia lokale e ka bërë të qartë se nuk ka asnjë vend tjetër të krimit!

Një gjë është e qartë: deri më tani nuk ka pasur arrestime. Autori apo autorët e krimit janë në arrati. Policia është duke i ndjekur me helikopter.
Për momentin nuk ka njohuri për motivin e krimit. Një zëdhënës i policisë spekuloi të enjten se ai mund të jetë “një veprim marrëdhënieje ose një akt diskriminues”. Oficerët gjithashtu nuk japin ndonjë informacion në lidhje me identitetin dhe kombësinë e viktimave.

Sipas informatave të fundit nga “BILD”, në mesin e të vrarëve janë banorë kurdë.

Hanau ndodhet në rrethin Main-Kinzig rreth 20 kilometra në lindje të Frankfurtit / Main dhe ka rreth 100,000 banorë.