Vrulli i ndërtimeve pa leje në Çarshinë e Shkupit ka lënë nën hije panoramën e dikurshme të një monumenti të mbrojtur kulturor. Ndonëse prej 9 vitesh asnjë gozhdë nuk duhej të vihej pa lejen e Ministrisë së Transportit, me dhjetëra objekte janë në ndërtim e sipër krye më vete nga pronarët. Nga Shoqata e Zejtarëve të Çarshisë thonë se kjo dukuri vërshoi pasi që institucionet zvarrisin një leje ndërtimi mbi dy-tri vjet. Krye esnafi i Çarshisë, Bejtullah Morina tha se Komisioni për vlerësimin e arkitekturës së vjetër asnjëherë nuk funksionoi dhe meremetimi i dyqaneve mbeti në preferencat e ndërtuesve, pa respektuar asnjë kriter të lartësisë së objekteve dhe modelit që identifikon Çarshinë.

Është mos interesimi i Ministrisë së Transportit, është mos interesimi i organeve relevante për leje dhe ne si Esnaf të Çarshisë kemi kërkuar nga Ministria e Transportit që mos të bëhen kërkesa në shumë vende, por të ketë mundësi të një sporteli. Lejet që kanë kërkuar pronarët për të ndërtuar dyqane është dashur në 5 vende të kërkohet dhe gjithmonë ka çaluar diku procesi në ndonjë vend- deklaroi Bejtullah Morina, Kryetar i Shoqatës së Zejtarëve të Çarshisë.

Nga viti 2011 Çarshia u shpall si zonë e mbrojtur kulturore dhe të gjitha kompetencat për dhënien e lejeve të ndërtimeve nga Komuna e Çairit kaluan në Ministrinë e Transportit. Kryetari i Komunës Visar Ganiu tha se nuk ka dorë në menaxhimin e kësaj zone, kurse Ministri Goran Sugarevski tha se janë në pritje të një vendimi të Qeverisë, të cilët kanë angazhuar inspektorët për të gjetur se kush u ka dhënë dritë jeshile ndërtuesve të ngritin pallate pa leje.

Diku para Vitit të Ri, Qeveria erdhi në përfundim sipas propozimit të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve që në këtë periudhë prej 10-12 ditëve Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit të dalin në teren për të bërë një raport të plotë se çfarë ndodh atje dhe nëse ka ndonjë parregullsi menjëherë duhet të intervenoj ky Inspektorat kundër tyre- pohoi Goran Sugarevski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Ndonëse Sugarevski tha që deri në fund të janarit Inspektorati i Ndërtimit do t’i raportoj Qeverisë për ndërtimet pa leje në Çarshi, në seancën e 5-të qeveritare të mbajtur të mërkurën, nuk u vë në rend të ditës ky diskutim. E vlerësuar si njëra nga Çarshitë më të vjetra të Ballkanit, kjo zonë e ndërtuar me arkitekturë orientale sipas esnafëve është më e vjetër se 600 vjet. Përderisa, pushteti lokal dhe qendror nuk koordinohen për të ruajtur këtë vlerë arkitekturore, mbindërtimet po ngulfatin njërin nga atraksionet më të parapëlqyer të turistëve të huaj, të cilët vizitojnë vendin tonë./Alsat