Raportohet se ka vdekur legjenda e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Familjarët njoftojnë se ka vdekur në moshën 86-vjeçare ylli i muzikës shqipe.

Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë. Babai i Nexhmijes, Veseli, mësues, siç thoshte Nexhmija, ishte më meritori që nuk e la këtë yll të shuhet, po na e dhuroi të gjithëve deri në shkallë krenarie.

Dikush e quajti Bilbili i Kosovës, dikush Mbretëresha e Këngës Shqipe, dikush tjetër Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Baterflaj, Fyti i Kristaltë, e të tjera e të tjera. Të gjitha këto epitete janë bërë sinonim për emrin e Nexhmije Pagarushës dhe mbase të gjithë kanë të drejtë sepse të gjithë gjejnë diçka të veçantë në zërin e saj magjik.

Rëndësia dhe vlera e veprës së Nexhmijes është çmuar e vlerësuar nga kompetentët dhe njohësit e artit dhe kjo është bërë në superlativ.

Nexhmija dhe kënga ishin një, këtu mbase e ka shpjegimin fakti se ajo as që ka mbajtur ndonjë evidencë për koncertet e as për këngët e kënduara.

Opusi i këngëve të Nexhmijes ishte shumë i gjerë dhe ajo ka shkëlqyer në të gjitha zhanret. Shumë artdashës edhe sot e kujtojnë një koncert të Nexhmijes me ariet operistike të Betovenit, të Pucinit, të Verdit… të përkthyera shqip.

Nexhmija me sukses e provoi veten edhe si aktore filmi dhe teatri më filmat dhe shfaqjet: “Dasma e përgjakur”; “Tre veta kapërcejnë malin”; “E kafshoja terrin”; “Lepuri me pesë këmbë”; “Fluturimi i Micakut”; “Daullet e të çmendurve”, “Rexha i nënës në grazhd të kalit” etj.

Në jetën artistike Nexhmija mori shumë çmime të cilat ajo nuk mundi t’i veçojë. Nexhmije Pagarusha, e cila ndërroi jetë sot, vulosi me emrin e saj, në fushën e muzikës shqipe, shekullin XX.

Ndjesë pastë! (rtklive)