Kur dëgjoni nëpër rrugë se njerëzit dallohen nëse janë nga kjo anë e malit Uçka apo të anës tjetër, kjo është brengosëse. Familja ime në Istër ka ardhur në vitin 1948, unë linda këtu, ne u rritëm në një frymë respekti për traditat lokale dhe biznesin, ne jemi pjesë e të njëjtit realitet
Idriz Sulejmani lindi në Poreç. Në këtë qytet, bBabai i tij erdhi në vitin 1948 dhe një vit më vonë hapi një ëmbëltore. Familja shqiptare është me origjinë nga një fshat afër Tetovës në Maqedoninë Veriperëndimore. Me lokalet e biznesit në pronësi të qytetit të Poreçit edhe më tej menaxhon familja. Ndërkohë, ëmbëltoren Idriz Sulejmani e ktheu në një restorant. Objekti i mikpritjes është në një pozicion strategjik ku Sheshi Liria ngushtohet dhe bashkohet me rrugën Dekumanus. Sipërmarrësit, anëtarë të komunitetit kombëtar shqiptar, drejtojnë një pjesë të konsiderueshme të ambienteve të biznesit në Dekumanus, qendra e turizmit në Poreç.
Argjendarë, gastronomë, tregtarë
– Komuniteti ynë aktualisht ka rreth 600 anëtarë, ishin mbi 800, por shumica shkuan për të punuar në vendet e BE-së, thotë Idrizi për “Glas Istre”, transmeton Shtegu.com.
Argjendarë, pastiçerë, gastronomë, tregtarë, anëtarët e komunitetit shqiptar shënuan zhvillimin e pasluftës së turizmit Istrian si në Poreç, po ashtu edhe në qytete të tjera në bregdetin perëndimor të Istrës. Ata janë pjesë e mozaikut të Istrës multietnike dhe shumëgjuhëshe dhe janë pjesë e realitetit turistik të Istrës dhe ofertës së përgjithshme turistike – nga unaza argjendi ose ari deri tek pica ose karkaleca të njohura si skampi na buzara.
– Unë kam lindur në Poreç në vitin 1956 dhe nuk ka asnjë banor i Poreçt nga brezi im që të paktën një herë nuk ka shkuar në furrën e babait të tij për bakllava apo krempite. Babai im, Latif Sulejmani, në atë kohë ishte kampion i shtetit në mundjen e lirë dhe prej tij unë trashëgova një dashuri për sportin që ndoqa në mënyrë aktive në klub. Ai e themeloi atë së bashku me Danet Lukiç. Babai ynë futi brenda nesh një dashuri për qytetin në të cilin kemi lindur dhe për Istrën, ai u prit shumë mirë, shoqërohej me banorët vendas të Poreçit, miku i tij ishte barba Silvio, i cili riparonte biçikleta, thotë Idriz Sulejmani.
Gazetari të përditshmes kroate ka bisedur me Idrizin në restorantin e tij dhe arsyeja është e thjeshtë, por dhe komplekse, në varësi të këndvështrimit. Përkatësisht, Idriz Sulejmani është një nga të paktët shqiptarë në Istër që i është bashkuar këshillit të qytetit.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, shqiptarët dhe boshnjakët e Poreçit gjetën një gjuhë të përbashkët, thotë Idrizi dhe ndërtuan një koalicion interesant etnik me të cilin fituan rreth 400 vota, kaluan pragun prej 5 për qind dhe morën një vend këshilltar. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, për dy vitet e para, kolegu boshnjak Mirza Hasanbegoviç u ul në karrigen e këshillit, në fillim të qershorit Idriz Sulejmani iu bashkua këshillit të qytetit, i cili do të bëjë pjesën tjetër të mandatit të tij.
– Në disa raste, shqiptarët e Istrës u përpoqën të dilnin vetë në votime, por nuk arritën të kapërcejnë pragun zgjedhor. Boshnjakët u përpoqën në të njëjtën mënyrë dhe ne në fund u dakorduam, mblodhëm vota, dhe këtu jemi në këshillin e qytetit, shpjegon Idrizi.
Përvoja e Poreçit është interesante, pasi multietniciteti i deklaruar i Istrës gjithashtu mori konfirmim politik, direkt, pa ndërmjetësimin politik nga partitë e tipit klasik.
– Unë jam një shqiptar istrian, e mbaj këtë përkufizim, ndjej dashuri për Istrën dhe Poreçin, komuniteti ynë është politikisht pranë IDS-it (Parlamenti Demokratik Istrian), në disa raste ne u përpoqëm t’i vendosnim kandidatët tanë në listat e tyre të zgjedhjeve, por gjithnjë morëm të njëjtën rekomandim: Më mirë personalisht të organizohemi, që edhe e bëmë, shton ai.
– Unë nuk jam në opozitë dhe as është votimi im në shërbim të partisë në pushtet. Si këshilltar i pavarur, unë mbroj interesat e popullit të Poreçit, por edhe të anëtarëve të grupit që më përzgjodhën mua, shqiptarë dhe boshnjakë. Unë mendoj se multietniciteti i deklaruar i gadishullit duhet të jetë më i mirë dhe më i qartë në terma praktikë. Duhet vazhdimisht të punohet për këtë sepse rreziku i diskriminimit etnik është i fshehtë. E dini, kur dëgjoni nëpër rrugë se njerëzit dallohen nëse janë nga kjo anë e malit Uçka apo të anës tjetër, kjo është brengosëse, sepse, familja ime mbërriti në Istër në 1948, ne u rritëm në frymën e respektimit të traditave lokale dhe biznesit, ne jemi pjesë e të njëjtit realitet. Nuk ka ndonjë lidhje të fortë me italianët e Poreçit apo të Istrës, dëshira jonë është që të shoqërohemi më shumë sepse ne jemi pjesë e të njëjtit imazh, i njëjti mozaik multietnik. Italianët kanë kandidatët e tyre në listat e IDS-it, ne nuk jemi por botëkuptimi ynë është i njëjtë, dhe anëtarët tanë e njohin vetveten në identitetin e Istrës, thotë Idrizi.
Në pyetjen e gazetarit:
– Ju jeni duke vepruar si kryetar i këshillit të minoriteteve kombëtare shqiptare të Qarkut Istër dhe Poreç. Në zgjedhjet e fundit, keni qenë kandidat për vendin e pakicës shqiptare, boshnjake, sllovene, maqedonase dhe malazeze.
Idrizi përgjigjet:
– Unë e humba betejën me vetëm tre vota sepse nuk pranova të nënshkruaj marrëveshjen parazgjedhore me HDZ, e cila ndikoi që fituesja e zgjedhjeve të jetë Ermina Lekaj Prljakkaj. Vendosa të mbroja rolin e një kandidati të pavarur dhe pagova për të. Tani po ndjek të njëjtën politikë në Këshillin bashkiak të Poreçit, duke mbrojtur pozicionin tim si përfaqësues i pavarur i koalicionit të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Është detyra ime të mbroj interesat e të gjithë qytetarëve të Poreçit dhe mbi të gjitha, të drejtat e minoriteteve. Do të bëj gjithçka për të respektuar zërin e tyre”, ka përfunduar Idriz Suleimani.