Djaloshit shqiptar, Fidan Imerit i janë vjedhur autotargat zvicerane të veturës “BE 420”. Tani ai duhet të presë 15 vite para se të mund t`i përdorë sërish ato. Prandaj për gjetësin e tyre, ai ofron një shpërblim të majmë.

“Targat u hoqën me forcë”, thotë Fidan Imeri. 31-vjeçari nga Kirchbergi i Kantonit të Bernës në Zvicrër, ka dashur të shkojë në punë me Porsche-n e tij të zezë më 3 janar, kur vuri re që persona të panjohur ia kishin hequr targat e tij dhe i kishin marrë me vete.

Bëhet fjalë për autotargat më numër “BE 420” që i kishte blerë për 11,000 franga zvicerane. Pas një telefonate me zyrën e trafikut rrugor, u bë e qartë se pasojat e vjedhjes për Fidanin do të jenë më serioze sesa pritej: Djaloshi shqiptar duhet të pres 15 vite para se të mund t`i ripërdori sërish të njëjtat. Deri atëherë, ato ngelin të bllokuara, shkruan “20 Minuten”.

“Unë dyshoj se ndonjë koleksionist i ri i trofeve i vodhi numrat e mi dhe ato i ka varur në banesën e tij”, thotë Fidan Imeri. Sepse numri 420 është një fjalë e zakonshme që përdoret si kod për pirjen marihuanës në mesin e konsumuesve. Termi u krijua nga një grup amerikanësh që po kërkonin një plantacion kërpi dhe u takuan në orën katër e njëzet. Pas disa përpjekjeve të dështuara për të gjetur plantacionin, u shfaq fraza 4:20, e cila përfundimisht u përdor si fjalë e përgjithshme e kodit për pirjen e marihuanës. Nga kjo, u zhvillua një lëvizje e vërtetë.

Në Amerikën e Veriut, 20 prilli (sipas shënimit amerikan 4/20) gjithashtu u shpall një festë jozyrtare, gjatë së cilës njerëzit takohen dhe festojnë përdorimin e kanabisit. Kjo ngjarje është shpesh në formë politike dhe kërkon legalizimin e kanabisit. “Adoleshentët menduan se numri ishte argëtues dhe e morën me vete si një suvenir”, dyshon Fidani.

Këto autotarga gjithashtu kanë një vlerë emocionale për Fidanin: «Babai im i ndjerë m`i la këto numra». Fillimisht, numrat i përkisnin kompanisë ku punonte babai i tij, informon Shtegu.com. Pas vdekjes së tij të papritur, Fidani i bleu numrat. “Unë jam këmbëngulës dhe do t’i kërkoj shenjat deri sa t’i kem përsëri”, thotë Fidani.

Ai nuk është zemëruar me hajnat: «Edhe unë kam bërë marrëzira. Sidoqoftë, është e padrejtë që të pres për 15 vite për numrat e mi». Prandaj, hajnave ai u kërkon t`ia kthejnë autotargat dhe premton se nuk do t`i denoncojë. Sipërmarrësi i pavarur shqiptar ka paraparë një shpërblim të majmë për autotargat e tij: “Për gjetësit e autotargave të mia, unë ofroj një mijë franga zvicerane shpërblim”. Fidani do të ishte i lumtur për çdo informatë eventuale.

Vjedhësit ose personat që kanë vërejtur ndonjë gjë të dyshimtë, mund të kontaktojnë Fidanin në adresën e mëposhtme me e-mail: «findetbe420@gmail.com».

“Është e mundur që autotargat të jenë vjedhur”, thotë Michael Wattendorff, kreu i miratimit të trafikut nga zyra e trafikut rrugor të Kantonit të Bernës. Sidoqoftë, nuk ka shifra të sakta. “Nëse një palë autotargash humben ose vidhen, zyra e trafikut rrugor duhet të miratojë një autotargë të re”, thotë Wattendorff. Pas vjedhjes, numrat kërkohen publikisht nga policia dhe për këtë arsye nuk mund të parashtrohet kërkesë e re për to. Autoritetet duan ta shmangin mundësinë që dy autotarga të njëjta të qarkullojnë nëpër komunikacion. “Nëse humben, numrat bllokohen për pesë vite ose deri në 15 vite nëse vidhen”, thotë Wattendorff.