Gjatë ditës së hënë,një shtetas 38-vjeçar kosovar është hedhur nga tetë metra lartësi, nga një ballkon në Lenzburg të Zvicrës. Ai pësoi lëndime të rënda.

Personi në fjalë ka dashur të ikte nga policia, e cila në banesë kishte ardhur për shkak të dhunës në familje, shkruajnë mediat zvicerane. Bashkëshortja e tij e kishte telefonuar numrin e urgjencës së policisë, menjëherë pas orës 16.00 pasditen e së hënës dhe raportoi se burri i saj e kishte rrahur atë dhe njërin nga fëmijët. Policia shkoi menjëherë në pallatin e apartamenteve, në lagjen perëndimore të Lenzburgut.

Kur në banesë policia hasi në kosovarin, fillimisht ai sillej i qetë. Papritmas, megjithatë, ai mori një thikë në dorë dhe e mbante rreth qafës. Për një kohë të gjatë, policia u përpoq ta qetësonte.

Situata dukej se ishte nën kontroll derisa burri me thikë ende në dorë, shkoi në ballkon dhe u ul në rrethojën e tij. Përderisa oficerët e policisë po bisedonin me të për minuta të tëra, ai papritmas ra nga lartësia.

Gjatë rënies nga lartësia prej tetë metrash, kosovari pësoi lëndime të rënda, informon Shtegu.com. Një ambulancë menjëherë e dërgoi në Spitalin Kantonal të Aaraut, ku është dashur t`i nënshtrohet operimit. Sipas informatave të policisë nga e marta, nuk ka njohuri të mëtejshme për gjendjen e tij aktuale shëndetësor.

Gruaja dhe fëmijët kanë kaluar pa lëndime. Prapavija dhe motivi i kosovarit mbeten ende të paqarta. Zyra e prokurorit publik të Lenzburg-Aarau ka hapur një hetim penal.