Në një prononcim për News24, Lubonja ka hedhur akuza të forta në drejtim të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, duke thënë se urdhëri për vrasjen e gjeneralit ishte një akt i paligjshëm që ka ndarë Amerikën. Lubonja gjithashtu ironizoi deklarimet e bëra nga politikanët shqiptarë, të cilët i dolën në krah SHBA-ve, duke thënë se të tilla qëndrime janë qesharake
Lubonja: Ka vend për t’u shqetësuar në nivel botëror. Në Itali kishte komentatorë që e krahasonin këtë situatë që po ndodh në Lindjen e Mesme, me luftërat ballkanike, me Luftën e Parë Botërore. Pra, aq tension i japin. Gjykimi im për aktin e Trump është negativ, i papërgjegjshëm, i paekuilibruar. Ai ka qenë një nga ata që ka folur shumë, që ka pas politikat e tërheqjes nga bota për të qëndruar te Amerika. Vrasja e një njeriu kaq të rëndësishëm në atë mënyrë ishte më shumë si akt terrorist, se sa si vetëmbrojtje. Ishte një akt i paligjshëm. Është akt personal, Trump nuk i ka kërkuar konfirmim Kongresit. Ai ka ndarë edhe Amerikën, është i rëndë ky akt.