Në vendet e pasura, njerëzit falen më pak, ndërsa në vendet e varfër, njerëzit falen më shumë. Këtë gjë e ilustron me shifra, Pew Research, një ndër qendrat më të mëdha të kërkimit në botë, që i nxjerr rezultatet e 102 vendeve të botës në formën e një ankete. Ky është rregulli i përgjithshëm, pra pasuria duket se i largon njerëzit nga Zoti, ndërsa varfëria i afron.

Shqipëria, përbën përjashtim, pasi figuron si në listën e vendeve më të varfra, ashtu edhe në listën e vendeve më pak besimtare, ose më saktë në listën e vendeve ku njerëzit falen ose luten më pak në ditë. Të dhënat tregojnë se, vetëm rreth 14% e shqiptarëve deklarojnë se falen ose luten çdo ditë. Nga ana tjetër, prodhimi kombëtar për frymë i shprehur në termat e fuqisë blerëse, në diçka më pak se 13 mijë dollarë, bën që Shqipëria të jetë një rast i veçantë, së bashku me vende si Vietnami apo Kina.

Pra, paçka se shqiptarët janë të varfër, refuzojnë t`i kthejnë sytë nga Zoti, për të kërkuar diçka më shumë apo thjesht për të kërkuar një ngushëllim. Për nga norma e besimit, nëse këtë të fundit e masim me faljet ose lutjet e përditshme, Shqipëria ngjason me vendet më të zhvilluara të botës, si Danimarka, Gjermania, Zvicra apo Mbretëria e Bashkuar, vende të cilat kanë ndër nivelet më të ulta të besimit dhe njëkohësisht ndër normat më të larta të PBB për frymë. Për nga niveli i pasurisë, Shqipëria do të duhej të ishte krah vendeve në pjesën e sipërme të grafikut, si Ekuadori, Tunisia, Maroku, etj. KOHA.MK