Rrugës për në vendpushimin e njohur zviceran, në përmasa botërore, Schwarsee, gjendet edhe komuna e vogël e Kantonit të Fribourgut, Tafers e banuar me rreth 3400 banorë. Një komunë e vogël me banorë shumë mikpritës dhe simpatikë. Të njëjtën veti e ka edhe shqiptari nga fshati Begracë e Komunës së Kaçanikut, Besim Tupani, i cili në restorantin e tij «Grillhouse», mysafirët i pret me buzë në gaz.

Në Zvicër, Besimi erdhi në vitin 2003, në kuadër të bashkimit familjar, pasi në po të njjëtin vit e kreu shkolën e lartë të motoristikës në Ferizaj. Fillimisht, ai u vendos në Fribourg ku menjëhere e regjistroi shkollën e gastronomisë, të cilën e kreu me sukses të shkëlqyeshëm, duke kryer praktikën prej dy here dy orëve në javë. Menjëherë iu përvesh punës në shitjen e gështenjave, ndërsa u bë i famshëm edhe në përgatitjen e hamburgerave dhe ishte pjesëmarrës në shumë manifestime në përgatitjen e tyre, duke ofruar shije të majme për këtë specialitet.

Në vitin 2016, Besimi vendosi ta provojë fatin si pronar i pavarur i restorantit «Grillhous » në Tafers dhe deri më tani ka krijuar bindjen e një gastronomi shumë të suksesshëm në këtë rrethnë. Mysafirët e tij kryesisht janë bashkatdhetarët nga Anamorava, rethina e Kaçanikut, e Ferizajt, por edhe më gjerë.

Në mesin e tyre nuk mungojnë edhe mysafirë zviceranë, italianë e portugezë, të cilët sikurse janë bërë të varur nga grosha dhe gullashi i Besimit, të cilat i përgatitë për mrekulli. «Shumica vijnë me shokë të punës shqiptarë dhe as që mund ta paramendojnë një drekë pa groshë apo gullash, të cilat i pëlqejnë së tepërmi», shprehet Besimi enkas për Shtegu.com.

Në restorantin e tij janë të punësuar gjithsej pesë punëtorë, por ambiciet e tij nuk përfundojnë me kaq. Ai së shpejti planifikon të hap edhe lokale në Biel-Bienne dhe në Lozanë, pasi kërkesat në këto rrethina janë të mëdha, ndërsa Besimi do ta implementojë të njëjtin koncept të gastronomisë.

Përndryshe, Besim Tupani është edhe anëtar i grupit të motoristëve shqiptarë “Motoristat” me rreth 50 anëtarë aktivë, të cilët janë pjesëmarrës në shumë ndihma humanitare. Herën e fundit, ky grup kishte ndihmuar në grumbullimin e mjeteve financiare për një fëmijë shqiptar nga Shkupi, duke i hapur rrugën për shërimin e tij në një spital në Turqi.

«Nuk mund ta harroj asnjëherë kënaqësinë, kur para lokalit tim u parkuan rreth 70 motorë të dy grupeve motoristike shqiptare `Shqiponjat` dhe `Motoristat`. Zviceranët mbetën të mahnitur nga kjo pamje impozante», rrëfen takimin e motoristëve në lokalin e tij, Besim Tupani, pronari i restorantit «Grillhouse», ku së fundmi u realizua edhe darka e disa firmave shqiptare nga rrethina që u ndanë shumë të kënaqur nga mbrëmja madhështore dhe ushqimi i mrekullueshëm i përgatitur nga personeli i tij.