Parajsë prej letre

Në natyrën e ndotur
nuk u tretë duhma e rëndë
e qenve të coftë
nga shiu pranveror…
Prandaj,
shitësit e natyrës thanë:
“shijoni aromën moderne”,
dhe defiluan rrugëve të improvizuara
që çonin drejt luleshitësve të verbër…

Në katrahurën e rëndë,
kur u zhveshën retë e zeza,
matësit e kohës nga dritaret
me kapakë të potershme thanë:
”ikni, ikni
se po shtrydhet luleqielli
e po ua verbon sytë”.

Ndërsa të injoruarit
e mbyllur
në ishullin
e vetmisë
lëshuan fjalët zjarr:
“mbytuni në vetvete
mistrecë të dalldisur
se bota nuk është parajsë
prej letre”.

Burhanedin Xhemaili (lindi më 28.02.1962 në fsh. Rramanli) është një shkrimtar, poet. Shkollën e mesme e kreu në Kumanovë, ndërsa Fakultetin Filologjik Dega “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” në Shkup. Ka punuar profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën e Mesme Ekonomike në Kumanovë. Ka kryer detyrën e Kryeredaktorit të Revistës për Letërsi‚ Shkencë dhe Kulturë Doruntina. Tani është Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” në Kumanovë‚ dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni.

Botimet

DRITA E VONUAR’’ poezi 1993
“FRIKË NGA LIRIA” tregime 1994
“PORTRETE TË DJEGURA” dramë 1999
“TINGUJT E JETËS” tregime 2001
“KAMBANAT E LIRISË” poezi 2003
“MAGJIA MODERNE’’ tregime dhe novela 2005
“RRUGA E NDJENJAVE” roman 2006
“NË FUND TË TUNELIT” tregime 2011
“ËNDRRA E ZGJUAR BRENDA SYVE” poezi 2013
“NGA ËNDRRA NË ËNDËRR”/DIN VIS IN VIS- poezi në rumanisht, 2013
“PORTRETE TË DJEGURA” dramë, 2015
“NË KËRKIM” tregime, 2017