Buendel-mit-Tausendernoten-Symbolbild-

Delsberg – Organizata humanitare zvicerane “Caritas”, mund të festojë për 100 mijë franga zvicerane. Këtë shumë të hollash, vullnetarët e Caritasit gjatë prillit të vitit 2010, i kishin gjetur në një palë rrobe të dhuruara nga një person i panjohur. Deri më tani, pronari i të hollave ende nuk është zbuluar.
Banknotat prej 100 dhe 1000 frangash zvicerane, menjëherë i ishin dorëzuar policisë pas gjetjes së tyre në një vend grumbullimi në Saignelégier të Juras. Pas kësaj, në polici ishin lajmëruar disa persona të cilët nuk kishin mundur të dëshmojnë se të hollat mund të kenë qenë të tyre. Më në fund, gjatë të premtes së kaluar, pas afatit ligjor prej pesë vitesh për mosgjetjen e pronarit, autoritetet kantonale njoftuan se të hollat e gjetura janë bërë pronë e Caritasit, e cila është duke u menduar se ku do t`i përdorë të hollat. Rreth prejardhjes së të hollave, mediet zvicerane kishin spekuluar në mënyra të ndryshme, nga një donacion anonim e deri në plaçkitje e harruar nga hajnat.