Elmi aziri/
Politika është pushtet dhe shpërndarje burimesh, por shfaqet edhe si çështje publike dhe si arti i qeverisjes, Heywood (2008). Dhe këtë po mundohet ta shesë mirë qeveria. Por, a e kanë bërë mirë shpërndarjen e burimeve është pyetja kryesore? Në sistemin e sotëm të përzier ekonomik buxheti është instrumenti kryesor financiar i një vendi për shkak të ndikimit të tij në rrjedhat ekonomike, sociale, kulturore, zhvillimore, por edhe përshkak të rolit të tij në dimenzionin politik, sepse jo rrallë herë buxheti shfrytëzohet edhe si instrument per realizimin e qëllimeve politike. Tek vendet me të ardhura të ulëta, siç është vendi ynë, me normë të lartë të papunsisë dhe me paqartësi të mëdha rreth të ardhmes, ndikimi i buxhetit është edhe më i madh, dhe kjo nuk është mirë sepse dëshmon një varësi të lartë të qytetarëve nga qeveria, dhe siç është bërë rregull në vendin tonë qeveria është keqpërdoruesi më i madh në vend, qoftë gjatë shfrytëzimit të mjeteve publike, qoftë gjatë përpilimit të politikave etj. Gjatë përpilimit të politikave bazohet vetëm në parimin e legalitetit, duke mohuar parimin etik, kulturor etj, gjatë shpërndarjes bazohet në parimin etnik, dhe gjatë vendimmarrjes në parimin centralist.
Politika më e mirë buxhetore është ajo politikë që bën optimalizimin e shpenzimeve buxhetore dhe alokimin efikas të tyre në favor të shpenzimeve kapitale. Bazuar në këtë, mundë të konstatojmë se ky propozim buxhet nuk e plotëson këtë kriter. Edhe pse kemi rritje të buxhetit në 3.9 miliard euro, ose për 5% nga viti i kaluar, kjo rritje nuk u shfrytëzua për rritje sasiore as cilësore të shpenzimeve kapitale, 90,5 % janë shpenzime rrjedhëse dhe vetëm 9,5% shpenzime kapitale. Është një planifikim i trashëguar buxhetor. Buxheti vazhdon të shërbejë më shumë si një instrument social e politik se sa si një instrument financiar e ekonomik, 31% të mjeteve buxhetore destinohen për mbrojtjen sociale. Më shumë shpenzon se sa investon, më shumë blen qetësi se sa ofron ndryshim e iniciativë. U rritën shpenzimet rrejdhëse për 5,1%. Çka është më e papranueshme, kategoria buxhetore mallra dhe shërbime u rrit për 24 milion euro, pra rritje prej 7,7% në raport me vitin 2019. Eksponentët e qeverisë dikur ishin kritikuesit më të mëdhenj të rritjeve të kësaj kategorie buxhetore në qeveritë e kaluara. Edhe pse janë planifikuar shpenzime kapitale 374 milion euro, dhe që paraqet nivelin e njejtë me vitin 2019 pas rishikimit kur të njëjtat u shkurtuan për 50 milion euoro duke pretenduar një planifikim më prudent, marrë parasysh normën e realizimit të investimeve kapitale vitet e kaluara që nuk kalon 70%, kemi dilema reale për përqindjen e realizimit të kësaj pjese të buxhetit. Nuk kemi ndryshim as sa i takon projekteve të planifikuara. Janë të njëjtat që i nisi qeverisja e kaluar. Në pjesën zhvillimore të buxhetit kemi paraqitje sintetike të vlerës së disa destinimeve, veçanarisht tek investimet në Arsim ku janë paraparë 13,4 milion euro dhe nuk kemi të nënvizuara projekte konkrete se ku do të investohen këto mjete. Së bashku me 9,6 milion euro për standard studentor dhe 3.8 milion euro standard të nxënësve përbëjnë 26,8, milion euro mjete ku janë të anashkaluar shqiptarët, ndërsa çdo ditë shofim kronika migjeniane të nxënësve shqiptarë që kalojnë distancë prej kilometrave për të arritur në objektet më të afërta shkollore, si Bllaca, Buteli, Gjimnazi Sami Frashëri në Kumanovë në kushte mesjetare etj. Maqedonia vazhdon të mbetet vendi më i centralizuar në Europë me vetëm 6% të GDP-së. Dhe për ironi ministrisë së vetme që i janë shkurtuar mjetet është Ministri e Pushtetit Lokal edhe atë për 200 milion denar ose për 3,2 milion euro. Edhe pse janë paraparë mbi 303 milion euro për blok dotacione, vazhdon diskriminimi etnik në shpërndarjen e këtyre mjeteve. Kjo për faktin se kemi destinim 0% mjete nga buxheti qendror në formë të bllok dotacioneve për shtëpitë e pleqve (azileve), rreth 1% të bllok dotacioneve për kulturë, rreth 12% të dotacioneve të destinuara për njësitë e zjarrfikësve, po aq sa marrin edhe në formë të bllok dotacioneve për mbrojtjen e fëmijëve. Dhe ky diskriminim vërehet edhe nga ministritë që udhëheqin shqiptarët si psh,të gjitha ministritë që udhëhiqen nga kuadro shqiptarë menaxhojnë me buxhet bazë në vlerë prej 24,936,680,000,00 denar që është sa 50% e buxhetit bazë të Ministrisë për punë dhe politikë sociale që kap vlerën prej 48,566,000,000,00 denar.
Në vazhdim të këtij shqetsimi bie në sy edhe projekti (në mes të tjerëve) për banesa sociale në vlerë prej 3 milion euro dhe asnjë në komunat ku gravitojnë shqiptarët. Projekt ky i nisur nga qeveria e kaluar.
Borxhi publik vazhdon të rritet. Qeveria planifikon borxh të ri prej 1 miliard euro, me çka nga 49 % do të shkojë në 51% të GDP-së. Kjo më paraqet shqetësim serioz për ekonominë e vendit gjë që reflektohet edhe në rritjen e pagesës së interesit për borxhin publik dhe ngushtim serioz të hapsirës fiskale.