Heqjen e plotë të pagesës me para të gatshme e pamundësojnë faktorët socio-ekonomik, refuzimi i risive, infrastruktura e nevojshme që pamundëson që çdo kund të keni mundësi të paguani me kartelë si dhe niveli i edukimit dhe informimit të qytetarëve për përparësitë e një lloj pagese të tillë, ndonëse analizat tregojnë se bankat e kanë patjetër të rrisin digjitalizimin e punës së tyre
Gati çdo qytetar i Maqedonisë posedon kartelë pagesore , megjithatë të dhënat tregojnë se pagesa me para të gatshme në dorë apo me kesh mbeten dominuese në ekonominë e vendit, shkruan gazeta KOHA.
Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se bankat komerciale deri në muajin korrik të këtij viti kanë lëshuar 1.839.490 kartela pagesore, ndërsa nga ana tjetër, edhe më tej, qytetarët më shumë përdorin kartelat për nxjerrjen e të hollave nga bankomati se sa për blerjet e ndryshme. Statistika gjithashtu tregon se në muajin qershor të këtij viti nga bankomatet janë nxjerrë 181 milion euro, ndërsa me kartela në shitore janë paguar afër 73 milion euro.
Gjithashtu edhe statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se ngadalë po ulet në periudhën e kaluar pjesëmarrja me para të gatshme në dorë nga mbi 90 për qind në vitin 2008 në 72 për qind në vitin 2017. Në ndërkohë, analizat e ndryshme tregojnë se prodhimet, ushqimore, veshmbathjet , llogaritë e komunaleve dhe mbushjen e rezervuarit të benzinës, qytetarët në vend më së shpeshti i paguajnë me kartela debitore në vlerën mbi 750 denarë.
Studimi i Masterkard dhe Master Indeks për shprehitë e pronarëve të kartelave në Maqedoni, tregon se kartelën debitore për blerjen e ushqimeve e shfrytëzojnë 58 për qind e të anketuarve, për veshmbathje e shfrytëzojnë 20 për qind, dhe për pagesën e llogarive mujore dhe benzinës e shfrytëzojnë 15 për qind e të anketuarve. Nga Banka Popullore thonë se krahas punës elektronike të bankave që mundëson transfer të shpejtë të parave, inovacioneve në pagesa si ato përmes celularit, si dhe blerjes përmes internetit, që paraqesin trende pozitive të përdorimit të kartelave dhe uljes së përdorimit të parave në dorë, megjithatë akoma ngecim ndaj shteteve më të zhvilluara në këtë çështje .
Në të ardhmen edhe përmes digjitalizimit si dhe me Strategjinë e uljes së “keshit” në shtet do të përmirësohet situata në këtë sferë dhe do rriten transaksionet pa para të gatshme.
Ndryshe, trende të ngjashme të përdorimit të vogël të kartelave pagesore shënohen në të gjitha shtetet e Ballkanit, për dallim prej shteteve skandinave që synojnë anulimin e tërësishëm të pagesave me para të gatshme në dorë. Heqjen e plotë të pagesës me para të gatshme në Ballkan e pamundësojnë faktorët socio-ekonomik, refuzimi i risive, infrastruktura e nevojshme që pamundëson që çdo kund të keni mundësi të paguani me kartelë si dhe niveli i edukimit dhe informimit të qytetarëve për përparësitë e një lloj pagese të tillë. Për dallim prej shteteve të Ballkanit , Skandinavia që moti shquhet si rajoni ku më së paku nevojiten parat e gatshme. Lëvizja drejt “ një shoqërie pa kesh” vërehet si trend në të gjitha shtetet skandinave. Danimarka , Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Islanda janë liderë botëror në pagesën pa para të gatshme , që preferohet edhe për pagesa minimale siç është blerja e çamçakëzit.
Ndryshe, analizat tregojnë se bankat e kanë patjetër të rrisin digjitalizimin e punës së tyre. Bankat po përballen me konkurrencën nga aktorët e kartelave, por edhe aktorë të rinj të tillë si operatorët mobil, prodhuesit e mobilëve, shitësit, kompanitë e teknologjisë (Google, Apple), monedhat virtuale. Ka modele të shumta të biznesit në treg që hasin në sukses. Industria e pagesave vazhdon të zhvillohet me shpejtësi, një diferencim për bankat gjithnjë duke qenë aftësia e tyre për të siguruar oferta të plota për të përmbushur kërkesat e konsumatorëve dhe të konkurrojnë me iniciativa nga jo-bankat.
“Bankat kanë tre deri në pesë vjet të bëhen të aftë digjital. Nëse ato nuk arrijnë të marrin masa, ato rrezikojnë të hyjnë në një spirale rënieje të ngjashme me ata të ngathtë në industritë tjera”, tregojnë analizat e McKinsey. Analiza e tyre tregon se nga përdoruesit e ngathtë digjital mund të hasin deri në 35 për qind humbje të fitimit, ndërsa të shkathtët mund të realizojnë një rritje të fitimit mbi 40 për qind. (koha.mk)