Analisti i njohur në SHBA, Janusz Bugajski ka dhënë një opinion të shkurtër për gazetën Dita lidhur me takimin e Ohrit, mes Presidentit Serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Edi Rama dhe Zoran Zaev.

“Në parim, heqja e barrierave për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në Ballkan është një ide e mirë. Megjithatë, ekzistojnë dy probleme potenciale në këtë iniciativë. E para, disa shtete të Europës Perëndimore mund ta interpretojnë atë si një zëvendësim për anëtarësimin në BE dhe shtyrjen e mëtejshme të negociatave për vendet kandidate. Dhe, e dyta, në “Mini-Shengen” duhej të ishte Kosova që ajo të mos mbetet “vrimë e zezë” në këtë marrëveshje. Kjo do të kuptohej edhe si pranim de facto i kufirit Serbi-Kosovë nga të gjithë shtetet pranë tyre dhe legjitimimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Beogradit dhe Prishtinës”.