Kur flasim për këngën kërçovare dhe kultivimin e saj nëpër shtegun e kohës, krahas emrave të njohur si grupet e Zajazit me në krye Sefën e Xhetës, Hatem Rihanin, Abidin Hajvazin, Mefaill Vellkun, Sefa i Rexhës e shumë të tjerëve, si dhe të atyre të rrethit të Tuhnit të udhëhequr nga Lati Kaleshe, Trio “Zajazi” dhe të tjerë, dy emra të shquar kanë bërë emër në vazhdimësinë e kësaj kënge, e cila në trungun etnokulturor të muzikologjisë shqiptare ka bërë emër. Janë këta Vëllezërit Dervishi (Dervish dhe Aziz Dervishi), të cilët kanë mbajtur të gjallë këtë zinxhir vlerash. Po cilat ishin fillet e këtyre kultivuesve të pasionuar të këngës polifonike kërçovare. Sipas rrëfimit të vetë këtyre, tanimë doajenëve ato datojnë qysh heret, domethënë përpara plot 40 viteve. Dalja e parë e tyre në skenë ngjet në shoqërinë kulturore artistike “Niko Pusoski” të Kërçovës, ku atëbotë mësuesi pasionant Mustafa Pinjolli pikasi talentin e këtyre bilbilave, dhe i solli ata në shkenën e Pallatit të Kulturës të shoqëruar në kavall nga Mersim Çupi, me çifteli nga Rrahit Spahiu po nga Cërvica dhe në mandolë nga Azem Lutfiu nga Zhubrina.

Kënga e tyre e parë në skenë ishte “Merri çelësat çil dyqanin! Nga Hashim Shala dhe Qamili i Vogël. Kësisoj karriera e tyre merr përpjetëzën dhe duke kënduar nëpër koncerte dhe ahengje familjare bashkë. Në moshën 15 vjeçare Azizi largohet në Prishtinë dhe regjistrohet në shkollën e mesme të muzikës ndërkohë që vëllai i tij më i madh mbetet në gjimnazin e Kërçovës. Dëshira e madhe e Azizit për të tkuar artistin e madh Qamili i Vogël, tanimë bëhet realitet, ndërsa pas kësaj edhe me doajenin e këngës Hashim Shala. Duke parë talentin e Vëllezërve Dervishi, ata propozojnë një incizim në RTP (Radio Televizioni i Prishtinës), ku atë kohë Hashim Shala ishte duke punuar. Kështu ata bashkë me Qamilin e Vogël, Hashim Shalën, Demir Krasniqin dhe Esat Bicurrin sollën këngët e para të incizuara nëpër pllaka gramafoni. Më 1977, Aziz Dervishi me ndihmën e Esat Bicurrit dheDemir Krasniqit incizon këngën duet për “Lidhjen e Przrenit”, e cila mëpas u shndërrua në hit. Vite më vonë Vëllezërit Dervishi fillojnë bashkëpunimin me Kosova Fonian, dhe EuropeTurist dhe nxjerrin audiokasetë të përbashkët, ku është e përfshirë edhe motra e tyre Mihane Dervishi. Nga 1998 ata për çdo vit bashkëpunojnë me produksionin “Beni” të Kërçovës, ku audiokaseta e tyre “Moj lule Uskane”, i orkestruar nga Nexhat Mujovi-Virusi, u bë hit dhe pati shitje të madhe. Pas kësaj ata marrin pjesë në Maratonën e këngës popullore në Tiranë bashkë me këngtarin nga Struga Agim Poshka dhe me kënngën “Po t’boj rixha” të orkestruar nga Virusi morën çmimin e kritikës, një cmim tejet me vlerë. Një bashkëpunim me këngëtarin dhe artistin e mirënjohur Ilir Shaqiri do ta sjellë në skenë këngën e pavdekshme gjer më tani “Cuca e Uskanës”, e cila është radhitur ndër këngët me vlerë kombëtare. Pasojnë dhe shumë këngë hite si kënga “Moj xëllufe bojë”, bashkë me Besiana Mehmedin, dheh shumë këngë të tjera.

Duke përcjellur me besnikëri vlerat e këngës kërçovare, dhe polifoninë e saj të veçantë, këta kultivues të pasionuar të këngës do të gjenden para ca vitesh edhe ne Festivalin Ndërkombëtar të Polifonisë në Paris, ku përmes këngës “Luto Fukaraja”, së bashku me Sallah Shabanin dhe djalin e tij Adnani, u vlerësuan lart si vlera të rëndësishme të etnokulturës botërore, ku drejtori i festivalit do t’i paraqesë si befasi e festivalit, dhe do t’u lejojë hapjen e atij festivali. Mëpas, gjatë vitit 2013 ata në bashkëpunim me Shkodran Tolajn e Besiana Mehmedin, nxjerrin edhe këngën “Shqipet e Uskanës”, e cila u bë e njohur brenda publikut dhe adhuruesve të shumtë të këtij dueti të përkryer të këngës shqipe. Duhet të theksohet se vëllezërit Dervishi, pos që njihen si ambasadorë dhe bilbila të këngës kërçovare, se ata janë dekoruar edhe me medalje për merita nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Megjithatë, krahas gjithë kësaj karriere kaq të bujshme 40 vjeçare, Vëllezërit Dervishi njihen dhe mbeten si fanatikët besnikë të melosit kërçovar duke e ruajtur atë kaq të pa prekur, ashtu siç e ruajtën gjeneratat e përparshme dhe ajo mbijeton edhe në ditët e sotme dhe paraqet pokështu një vlerë që ka mbijetuar për vite të tëra. (koha.mk)