“Deri sa të na rrahë një dell, ne do të jemi gardianë, do të jemi mbrojtës të kauzës shqiptare, pavarësisht se çka deklarojnë lart e poshtë se do të na mposhtin, do të fitojnë…”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së (Fushata, 2016).

“Ne jemi për shtet bilingual, gjuhë shqipe zyrtare në të gjithë shtetin, në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë, në dokumente personale, në valutë, në komanda dhe gjithandej…”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (Fushata, 2016).

“Arsimtarët shqiptarë do të jenë të barabartë me arsimtarët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të tjera të zhvilluara…”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa (Fushata, 2016).

“Do të mbledhim ekspertë rreth nesh, do t’i dëgjojmë si është arsimi shqip, si mund të bëhet më cilësor…”, theksoi Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së (Fushata, 2016).

Gjuha shqipe, përdorimi i flamurit, beteja për të drejta të barabarta, përfaqësimi i drejtë në institucione dhe zhvillimi i barabartë rajonal, në vazhdimësi kanë qenë pjesë e retorikës së mbushur me premtime patriotike nga ana e partive politike shqiptare. Për zgjedhjet e 12 prillit, partitë shqiptare akoma nuk i kanë gati programet e tyre por duke qenë se statusi i përdorimit të shqipes mbetet “status-kuo”, përfaqësimi i drejtë nuk ka arritur nivel kushtetues dhe zhvillimi rajonal nuk ndryshon nga ai periudhës para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, nuk përjashtohet mundësia që partitë të shënojnë edhe një fushatë me retorikën e njëjtë.

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se çështja e gjuhës shqipe dhe e përdorimit të simboleve kombëtare tashmë janë temë të absorbuara që nuk do të sjellin vota. Ai shton se nevojiten projekte konkrete.

Sa i përket gjuhës shqipe, sa i përket flamurit, mendoj se janë çështje të cilat deri diku janë absorbuar, janë harxhuar si mjete për grumbullimin e votave. Sa i takon punësimit të shqiptarëve mendoj se është çështje kryesore e cila duhet të jetë në fokus të partive politike, jo vetëm si frayeologji, si retorikë por me projekte konkrete – deklaroi Xhelal Neziri, analist.

Punësimi, ndarja e drejtë e kapitalit dhe vetingu në arsim, sipas Nezirit, janë shtyllat ku duhet të fokusohet fushata e partive politike shqiptare.

Të mbajnë llogari për përfaqësim të barabartë, të drejtë të të gjithë etniteteve, përfshirë këtu edhe të etnisë shqiptare, në të gjitha institucionet, por edhe të ndarjes së drejtë të kapitalit shtetëror në bazë rajonale. Ne e dimë se në bazë të zhvillimit rajonal, investimet kapitali i anashkalojnë rajonet e banuara me shumicë shqiptare dhe kjo normalisht se do të jetë një pikë ku partitë politike do të premtojnë ta përmirësojnë këtë gabim. Përveç kësaj, është edhe një çështje tjetër shumë e rëndësishme që ka të bëjë me vetingun në arsim. Ne kemi problem me kuadrot të cilët i prodhon kz sistem arsimor, me njerëz të kyçur po në atë sistem arsimor -u shpreh deklaroi Xhelal Neziri, analist.

Në janar të 2017-tës, vetëm disa javë pas zgjedhjeve të kaluara parlamentare, partitë shqiptare firmosën deklaratën e përbashkët në të cilën zotoheshin për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptar, përdorimin e gjuhës, simboleve kombëtare shqiptare, punësim të drejtë, zhvillim të vendbanimeve shqiptare dhe të ngjashme. Disa muaj më vonë, më asnjëra parti nuk mori iniciativën për jetësim të deklaratës dhe vazhdim të koordinimit mes partive që e firmosën atë.

/Alsat-M/