Aeroporti i ri i Pekinit, Daxing, që kushtoi 63 miliardë dollarë amerikanë, nisi fluturimin e parë të planifikuar ndërkombëtar të dielën, aeroport ky që pritet të ul presionin që ka aeroporti aktual i qytetit, Capitol.

Në formë feniksi, aeroporti ishte dizajnuar nga arkitektja irakiane me famë botërore, Zaha Hadid, dhe formalisht është hapur në fund të shtatorit para festimeve të 1 tetorit për 70 vjetorin e Republikës Popullore të Kinës, raporton Reuters.

Aerporti posedon katër pista dhe pritet të përballojë deri në 72 milionë pasagjerë në vit deri më 2025, eventualisht të arrijë në 100 milionë, transmeton Koha.net.

Kompanisë “China Southern Airlines” dhe “China Eastern Airlines” do të jenë bartësit kryesorë të brendshëm në Daxing, ndonëse edhe “Air China” do të ofrojë një numër të vogël fluturimesh.

Një fluturim i “Air China” për në Bangkok ishte fluturimi i parë ndërkombëtar që u nis të dielën, ndërsa “British Airways” do të operojë fluturimin e parë tej-kontinental, për në Londër.

Aeroporti, që ka madhësi prej rreth 100 fushash futbolli dhe që pritet të jetë një prej më të ngarkuarve në botë, është kritikuar për shkak të distancës që ka nga qendra e Pekinit.

Me transport publik, ju merr rreth 1 orë që të arrini në rajonin më të ngarkuar të Pekinit, më shumë se dy herë sa koha e nevojshme për të arritur në aeroportin Capital.

Zyrtarët thonë se aeroporti Daxing nuk është krijuar për t’i shërbyer vetëm Pekinit, por edhe provincën e afërt Hebei dhe qytetin e afërt Tianjin, për të nxitur zhvillimin rajonal.