27.10.2019
Rexhep Qosja
Peter Handke! Çmimi Nobel! Qe më tepër se tri javë Peter Handke ishte emër shumë i shpeshtë në fjalorët e disa politikanëve, disa ministrave, disa deputetëve, disa diplomatëve, disa ambasadorëve, i kryetarëve e i kryeministrave dhe i disa shkrimtarëve tanë, mes të cilëve, me një deklaratë të shkurtër, të zbehtë, isha edhe unë.
Me Peter Handken unë jamë marrë, po ashtu shkurtimisht, edhe para luftës e në kohën e luftës sonë çlirimtare, kur shumica e atyre që tani u morën me të, ndoshta nuk ia kishin dëgjuar emrin. Qe më tepër se tri javë Peter Handke u bë emri aq i shpeshtë në fjalorët politikë, diplomatikë, letrarë e shkencore të politikanëve, shtetarëve, shkrimtarëve e krijuesve tanë të tjerë sepse iu dha Çmimi Nobel. Po të mos iu kishte dhënë ky Çmimi ai, Peter Handke, do të mbetej i panjohur, i harruar për gojëtarët tanë të përmendur, siç kishte qenë i harruar e i panjohur më parë me gjithë veprimtarinë e tij politike që tani po quhet veprimtari kriminale. Sigurisht se nuk kam pasur mundësi të mësoj se sa u fol për Peter Handken e nobelizuar në kontinente e në vende të tjera, por, megjithatë, mund të them se në asnjë vend tjetër në Evropë e në kontinente të tjera, politikanët, shtetarët dhe diplomatët nuk i kushtuan kujdes siç i kushtuan politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe dy akademitë tona: ajo e shkencave e Shqipërisë dhe ajo e shkencave dhe e arteve e Kosovës! Duket se politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, e krijuesit e tjerë dhe akademitë e shkencave dhe të shkencave e të arteve të vendeve të tjera kishin punë më të rëndësishme për të sotmen e të ardhmen e vendeve të tyre e të popujve të tyre sesa të merreshin me Peter Handken gjerë e gjatë. Politikanët, shtetarët, diplomatët e vendeve të tjera si duket u kujdesen të mos e shkelnin një parim të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, të demokracisë moderne: mospërzierjen e tyre politike, shtetërore e policore, në vlerat artistike të krijimtarisë shpirtërore dhe në lirinë e mendimit e të shprehjes të krijuesve letrarë, artistikë e shkencorë. Peter Handke është poet, prozator, skenarist, përkthyes, që ka shkruar një numër veprash, që janë çmuar vepra me vlera artistike, të pangarkuara, domethënë të pacenuara, prej ideologjive dhe politikave totalitare, despotike, tiranike, diktatoriale. Këto vepra të tij letrare artistike, siç mund të jetë menduar në Komitetin Nobel e në Akademinë Mbretërore të Suedisë, i kanë plotësuar tri kriteret, që përcaktojnë përzgjedhjen e veprave që do të çmohen me Çmimin Nobel, e që janë: e para, vlera letrare artistike, e dyta, risitë formale e strukturore dhe, e treta, humanizmi. Por, këto tri vlera të veprës letrare artistike të Peter Handkes, të pacenuara nga veprimtaria e tij publike, politike para fillimit të luftës në ish Jugosllavinë, ai i njollosi mbasi filloi kjo luftë e, sidomos, mbasi kjo luftë u përshtri në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë. Duke e përkrahur Kryetarin e Jugosllavisë së shkurtuar (Serbia e Mali i Zi) e mandej, kryetar i Serbisë, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin, duke pranuar të jetë dëshmitar mbrojtës i tij në Gjykatën e Hagës, duke mbajtur fjalim në varrimin e tij në Serbi, Peter Handke, si qytetar, si intelektual, si shkrimtar e harroi misionin e krijuesit letrar dhe përkrahu dhunën e terrorin e tij, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që bëri regjimi i Millosheviqit, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë. I përkrahu me gojë! I përkrahur me veprimtari politike! I përkrahu si gazetar e publicist! Por, i përkrahu pa armë në dorë, i përkrahu ndryshe nga shkrimtari rus i quajtur Limonov, i cili serbët në Bosnjë i përkrahu duke u veshur në uniformë ushtarake e duke u armatosur me kallash! Pavarësisht se duke përkrahur Millosheviqin dhe regjimin e tij hapur përkrahu dhunë, terror, krime lufte e krime kundër njerëzimit, dhe e turpëroi ashtu gjithë krijimtarinë e tij intelektuale, Peter Handke u “ngushëllua” dhe u përpoq të ngushëllojë edhe të tjerë se këtë përkrahje e shprehu në sajë të së drejtës së krijuesve të krijimtarisë shpirtërore për mendim e shprehje të lirë, të pandaluar, të pacensuruar! Duke e pasur parasysh të drejtën e krijuesve, të cilët veprën e tyre letrare, pra thjesht letrare, nuk e kanë cenuar me përmbajtje, me ideologji e me politikë totalitare, tiranike, despotike, diktatoriale, ksenofobe a raciste, Komiteti Nobel dhe Akademia Mbretërore e Suedisë edhe ia dha çmimin Nobel Peter Handkes. Ashtu siç e thonë disa teorikë, e theksoj, vetëm disa teorikë të letërsisë, ashtu edhe Akademia Mbretërore e Suedisë e shkëputi plotësisht veprën letrare artistike të Petër Handkes prej krijimtarisë dhe deklaratave të tij publike jashtëletrare! Politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe akademitë tona të shkencave dhe të shkencave e të arteve kërkuan prej asaj Akademie t’ia anulojë Çm