25.10.2019

Xhevaire Abazi

 

Atëher i thonin Jugosllavi!
Më 1987 babë Sadiku dhe nanë Sala, marrin lajmin se biri i tyre Aziz Kelmendi, ka “vrarë” katër dhe i ka plagosur pesë ushtar të ushtrisë Jugosllave në Paraqin. Dhe pas këtij akti ai paskësh “vetëvrarë” edhe veten.
Kështu ndodhi me 120 të rinj shqiptarë që u “vetëvranë” në kazermat e APJ-së.
Ky sindrom, ndodhte në Jugosllavi mes viteve 1981-1990, vetëm nga shqiptarët, në atë kohë kur Kosova, në statistikat e vetëvrasjeve në Evropë, ishte e fundit.

Më 2016 u përsërit e njëjta histori!
Por, tani në burgjet e Kosovës. Aty ku punojnë dhe veprojnë shqiptarët, aty ku flitet shqip.

Babë Avniu dhe nanë Xhemilja marrin lajmin për djalin e tyre Astritin, se ka ndërruar jetë, duke “vetëvrarë” veten, në burgun e Prizrenit ku ishte duke vuajtur denimin për “aktin terrorist” që kishte “ndodhur” në Kuvendin e Kosovës.

Dhimbje pa fund, lot, gjamë e mallkim!
Kosovës iu tha një damarë, asaj iu shua një dritë, u ” vetëvra” një doktor, një djal i ri, një birë i Kosovës, për t’mos vdekur kurrë!

Sot, pas tre vjete fshehje nga vetëvetja, jo nga populli, doli në dritë se ate e vranë.
E vranë ata që kanë lind vrasës.
E vranë, jo një dorë, por shumë duar.
Mallkimi qoftë mbi ata.
Loti i nanës ka fuqi me të përmbysë, e paçi të vështirë këtë jetë dhe botën tjetër ju, të gjithë në këtë hierarki vrasesish!
E vratë veten e juaj dhe pasardhësit e juaj.
Ndërsa Astrit Deharit i falët pavdekshmërinë… Ai, pas la krushqit me flamur kombëtar. La atdhetar e njerëz të denjë për të mbajtur shtet.

Lavdija u takon atyre qe bëjnë vepra të mëdha me karakter njerëzor e kombëtar. I tillë ishte Astrit Dehari ndaj të cilit kemi obligim moral, njerëzor e kombëtar.
Vajit tënd oj nanë Xhemile, i bashkohen lotët e nanave të këtij nënqielli. Të atyre që i vranë në ushtrinë Jugosllave dhe të të gjitha nanave që iu vranë bijtë e bijat e tyre për këtë tokë.

Allahu të lartësoftë në xhennetet e Tij, aty ku shehidët bëjnë dritë, Astrit!