Naser PAJAZITI/   Pranvera do të vjen me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, vendi i brishtësive dhe çudirave, ku dita ditës po bëhet i pajetueshëm dhe pa shpresë. Por, partitë që tani kanë nisur kalkulimet se si t’ia dalin në këto zgjedhje. Hiperinflacioni dhe bajraktarizmi partiakë tek shqiptarët assesi nuk po shuhet dhe gjithë ata krerë me gjithëmend dhe pa kokë po vazhdojnë betejën “don kishotiane”. Në rrjetet sociale kanë ngelur ushtarët e fundit që mezi nxjerrin statuse për të lartësuar “liderin” e tyre, por në prapaskenë zymtësia e kësaj katrahure politike përçon dëshpërim dhe ikje masive të të rinjve, që nuk shohin perspektivë. Në gjithë këtë katrahurë, mbeten të hapura dilemat dhe të panjohurat se kush me kë do të shkojë në zgjedhje, apo a do të kemi koalicionime ndërpartiake, për hir të interesit të qytetarit dhe jo grupimeve apo klaneve politike. Është koha për një koalicion më të gjerë apo për krijimin e dy blloqeve për të mos parcializuar votën shqiptare dhe kanalizimin e saj në taborin e këtyre dy kampeve. Në të kundërtën vota e elektoratit shqiptar do të pësojë goditje të rëndë, kur dihet se një armatë e tërë e të rinjve dhe familjeve tashmë janë larguar nga vendi. Në periudhën që vjen shqetësimi është edhe më i madh pas zhgënjimit të krijuar me mosdhënien e ftesës për hapjen e negociatave. Por edhe data nuk do të parandalonte fluksin e pakontrolluar të ikjes. Kush do të jetë ai apo ajo parti që në prill do t’i mbush mendjen diasporës për të ardhur për të votuar. Diaspora mund të kalkulohet vetëm nëse ka sinjale apo vendoset për koalicionime më të gjëra, pasi që situata e krijuar e një ndasie ekstreme ka varrosur çdo shpresë të votuesit shqiptarë, sidomos atij në diasporë, që me më shumë ideale e perceptojnë vendlindjen dhe i’a duan të mirën. Mëria, bajraktarizmi dhe fryma përçarëse ndër krerët e partive shqiptare vazhdon po trashet duke i hapur rrugë zullumit të madh. Vajtja e pesëshes në tavolinën e Pendarovskit dhe shikimet si “ujku dhe dhinë” janë pasqyrë e shëmtuar që reflekton zullumin e madh.  Hilja dhe sajdisja e Pendarovskit ishte me spec dhe një dorë e zgjatur e LSDM-së, për të ledhatuar dhe mbajtur afër vetes partitë shqiptare, të cilat i duhen si fasadë dhe makineri votuese në zgjedhjet e prillit. Është periudha vendimtare për të reflektuar dhe partitë shqiptare për ti shtrirë dorën njëra tjetrës, për të krijuar dy kampe që do të jenë pjesë e një gare me oferta të mirëfillta dhe shpresëdhënëse, dhe jo me “turma” parti, që do të krijojnë zhgënjim dhe dëshpërim dhe kanalizim të votës së elektoratit shqiptar tek koalicionet e dy partive më të mëdha maqedonase. Kalkulimet për lista deputetësh nuk duhet të rëndojnë situatën, sepse në të kundërtën mund të përfundojnë në fijasko duke pasur parasysh trendin e deritanishëm të përçarjes dhe parcializimit të votës shqiptare./ina