Pas Zaevit edhe Mickoski konsideron se ultimatumi nga Bullgaria është i papranueshëm në shekullin 21. I ashtuquajturi “Pozicion kornizë” më i ri i Bullgarisë ishte pjesë e fjalimit të Mickoskit në takimin e sotëm me banorët e Karposhit në Shkup. Ai shton se sjellja e Bullgarisë është dëshpëruese, por për këtë thotë se ka kontribuar edhe politika jonacionale e Zaevit.

Jemi të ekspozuar ndaj shantazheve, kushtëzimeve, kërkesave nacional-romantike. Unë vërtet nuk mund ta kuptoj, por jam tejet i dëshpëruar, meqë kur janë nënshkruar Marrëveshjet e fqinjësisë së mirë, ne ishim si popull, si komb, si qytetarë të Maqedonisë, të bindur se me këtë janë tejkaluar të gjitha pengesat, se nuk do të kemi kurrfarë kushtëzimesh në procesin e bisedimeve nga fqinji ynë lindor, por e shohim që kjo nuk paska qenë e vërtetë, paska qenë një gënjeshtër e madhe që Zoran Zaevi atëherë na e shiti – tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Zaev, nga Kumanova, sot u shpreh se Marrëveshja me Bullgarinë nuk është e vdekur. Ai mbetet optimist se ekziston zgjidhje edhe për kushtëzimet e reja të Bullgarisë.

Bullgaria evropiane e ka të qartë për, në shekullin 21 edhe atyre u është e qartë se çështjet e identitetit duhet të jenë përfundimisht të vërtetuara përmes kornizave të Marrëveshjes. Në vetë Marrëveshjen flitet për dy popujt. Pra, flitet për dy popujt dhe njohjen e ndërsjellë të popujve. Çështjet tona të identitetit janë rrumbullakuar, ato janë shënuar tashmë në letërnjoftimin e Kombeve të Bashkuara, ato njihen nga të gjithë, besoj se edhe këtë çështje do ta tejkalojmë dhe zgjidhim – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

Bullgaria do të mbështesë fillimin e bisedimeve të Maqedonisë me BE, por për përfundimin e procesit vendos një sërë kushtesh. Sofja pret që Shkupi të përmbahet nga kërkesat për njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari, të mënjanohen tabelat dhe mbishkrimet nga monumentet, pllakat përkujtimore dhe ndërtesat që përmbajnë kualifikime si “okupator fashist bullgar”. Më tutje, kërkohet që vendi të dënojë regjimin komunist jugosllav, komisionet sa më shpejtë të arrijnë marrëveshje për Goce Delçevin, VMRO-në dhe për kryengritjen e Ilindenit. Për gjuhën maqedonase, Bullgaria do të insistojë që Bashkimi Evropian të përdorë formulimin “gjuhë zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Kërkesat e këtilla, përmes një letre të hapur, u dënuan nga një grup intelektualësh edhe nga Bullgaria edhe nga Maqedonia.

Alsat