Bullgaria ka nxjerrë kërkesa dhe kushte të reja për Shkupin, në rrugëtimin e saj euroatlantik dhe në kohën kur po pritet data për fillimin e negociatave me BE-në. Sofja zyrtare tashmë ka në tryezë këto kushte: Maqedonia e Veriut të heqë dorë nga përdorimi i termit “gjuhë maqedonase”, ndërsa BE-ja të përdorë formulimin “gjuhë zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe se nëse është e nevojshme shkrimi “gjuhë maqedonase” të shoqërohet me një yll dhe sqarim “sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, për të fshirë pjesët e librave shkollorë ku qëndron fraza “okupator fashist bullgar”, për të mos pasur përpjekje për njohjen e pakicës maqedonase, e në media të mos ketë gjuhë të urrejtjes kundër qytetarëve me vetëdije bullgare. Lidhur me këtë ka pasur reagime në Shkup. “Për ne është shumë i rëndësishëm identiteti ynë maqedonas, populli maqedonas, gjuha maqedonase, ky mirëkuptim, ndërsa historia e përbashkët duhet të shkojnë paralelisht me sot. Unë nuk mendoj se kjo mund të vihet në dyshim ose të jetë kusht për rrugën tonë drejt Evropës. Nuk guxon të jetë, jo në vitin 2019 dhe jo në BE. Ne kemi të drejtën e vetëvendosjes dhe unë mendoj se vizioni i Sofjes do të përputhet me vizionin tonë me një mirëkuptim të përbashkët për kujdesit ndaj tjetrit”, theksoi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov. Ka reaguar edhe ish-kryeministri Lubço Georgievski. “Ultimatumin e fundit nga Qeveria bullgare e përjetoj si pezullim të Deklaratës së miqësisë të vitit 1999 dhe Marrëveshjes së fqinjësisë së mire të vitit 2017”, theksoi Georgievski. Ndërkohë ka pasur edhe reagime të tjera në Shkup dhe Sofje, për dhe kundër zhvillimeve aktuale, në një periudhë ditësh kur Maqedonia e Veriut po pret datën për fillimin e negociatave me BE-në. (INA)