Gjermania nuk ka mbetur e kënaqur me vendimin e Francës për të bllokuar hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Bundestagu gjerman vendosi disa kushte për vendin tonë, por dha nga ana tjetër dritën jeshile. Por plani i Berlinit është që edhe Franca të veprojë në të njëjtën linjë. Dy deputetët socialdemokratë të Bundestagut gjerman, Metin Hakverdi dhe Christian Petry, pas takimit me kryeministrin Edi Rama, kanë shfaqur hapur shqetësimin e tyre për qëndrimin e Francës në procesin e hapjes së negociatave. “Franca sikurse dihet dhe në fakt ka ndjekur një strategji tjetër, për sa i përket çështjes së çeljes së negociatave dhe ajo ka qenë e pikëpamjes se BE, duhet të ndryshojë përpara, se të merrte një hap më tej drejt zgjerimit. Ne gjithsesi do të përpiqemi, ti bindim kolegët francezëpse ne e mendojmë ndryshe këtë gjë. Nga njëra anë mund të ndërmerret çelja e negociatave për anëtarësim dhe nga ana tjetër mund të monitorojmë procesin e reformave. Për këto tema në ditët në vijim do të bisedojmë me kolegët francezë. Dua të theksoj se vetë kancelaria federale, zonja Angela Merkel do të ketë një kontakt me presidentin Macron”, ka deklaruar Petry. Ndërkohë ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka deklaruar se Shqipëria është shpresëplotë për hapjen e negociatave. “Ne jemi shpresëplotë që edhe në diskutimet në këshill, roli i Gjermanisë do të jetë vendimtar për sa i përket peshës, që ky vend ka në BE dhe argumenteve të tyre që janë të pakundërshtueshme në favor të Shqipërisë”, tha ajo.