Aksident i rëndë në Gjermani: Mbrëmjen e së hënës, një vozitës kamioni i goditi disa vetura. Gjithsej janë lënduar 17 persona, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Shtegu.com.

Kaosi dhe pasiguri në Limburg të Gjermanisë: Një kamion i vjedhur nga një kompani logjistike, ka goditur disa vetura të hënën rreth orës 17, në qendër të qytetit, duke shtyrë përnjëherë shtatë prej tyre së bashku.

Sipas policisë lokale, 17 persona janë lënduar, disa prej tyre seriozisht. Edhe vozitësi i kamionit është ndër të lënduarit – ai është arrestuar. Ende mbetet e paqartë nëse vozitësi e drejtoi me dashje automjetin në veturat.

Policia paralajmëroi kujdes në Tëitter. Pas aksidentit filluan thashethemet se mund të bëhej fjalë për ndonjë sulm terrorist. “Ju lutemi mos bëni spekulime. Askush nuk ka nevojë për spekulime të egra”, shkruajnë autoritetet.