01.10.2019
Shkelzen Halimi

Divergjencave brenda-shqiptare ndoshta asnjëherë nuk do t’ju shihet fundi, së paku jo derisa të kuptojnë të vërtetën se arritja e baraspeshës së tyre shpirtërore është e mundur vetëm me një kusht: ta duan veten dhe të bëhen zot të vetvetes. Një përkufizim i tillë do të mundësonte që problemit shqiptar t’i jepet një kuptim dhe përmbajtje serioze, kurse kjo do ta hapte shtegun për tejkalimin e divergjencave të brendshme, me çka do të liroheshin nga të gjitha diskurset negative.
Rreth 2340 vjet më parë, mendja brilante e Aristotelit pati konstatuar se “shkëlqimi i moralit ndodh si pasojë e vesit. Ne bëhemi të drejtë duke bërë vepra të drejta, të përmbajtur duke bërë vepra të matura, trima duke bërë vepra guximtare”. Por, çfarë mbeti nga ky konstatim 2340 vjet më vonë, pra në ditët e sotme. Sa shoqëria shqiptare në përgjithësi, e në veçanti protagonistët e politikës shqiptare, mund të krenohen se u ka mbetur diçka nga ky ves?
Janë me qindra e qindra argumente që dëshmojnë se veprat e drejta, të matura dhe guximtare, tashmë rëndë realizohen ose, edhe nëse realizohen, kjo ndodh më shumë për shkak të një inercie të politikës ditore. Krejt kjo, si pasojë e mungesës së një kornize të qartë, të ndërtuar me letra të hapura dhe mbi verdiktin e popullit, me transparencë dhe e dukshme po nga populli, e jo që sajohet diku prapa perdeve të zeza, ku shpejt e shpejt, bëhet një kornizë me dërrasa të kalbura dhe ku në sfond, brenda asaj kornize, qëndron portreti i interesit të ngushtë të një grupi, që ushtron zejen e manipulimit me emocionin e popullit.
Kur ndodh kjo e keqe, që tashmë është shndërruar në kod veprim dhe abuzimi, atëherë institucioni i ndërgjegjes bie në komë të thellë. Në fakt, është thënë se ndërgjegjja është dhuntia e vetëgjykimit, ndjenjës së pendimit dhe e keqardhjes kur ne bëjmë gjëra që janë kundër normave tona morale. Ndjenja të tilla nuk arrihen nga mendja, megjithëse ato mund të shkaktojnë që ne të “shqyrtojmë ndërgjegjen tonë” dhe t´i rishikojmë këto norma morale, ose ndoshta të arrijmë të shmangim përsëritjet e sjelljeve të tilla. Shumë njerëz mendojnë se ndërgjegjja është një shkallë e veçantë e vetëdijes njerëzore, që na shtyn, madje na detyron, nga shkaqe etike dhe morale, të kryejmë ose jo veprime të caktuara.