Gjatë një dasme që është zhvilluar në një manastir zviceran, nga çifti që po martohej u vodhën para dhe dhurata të ndryshme. Por, tani gjithçka është gjetur sërish.

Gjatë ceremonisë martesore në një manastir në rrethinën e Solothurnit, një nuse dhe dhëndri ishin viktima të një vjedhjeje në fillim të javës. Disa qindra franga u vodhën në formën e kuponave ose parave nga zarfet në tryezën e dhuratave. Fillimisht, të ftuarit dhe çifti i sapomartuar mbetën në udhëkryq për autorin e mundshëm, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Shtegu.com.

Tani vjedhja jo e rëndomtë është sqaruar, siç raporton Tele Bärn. Me lot në sy, një grua ishte paraqitur në manastir dhe i kishte sjellë të gjitha sendet e vjedhura.

Sipas Urs Bucher, gastronomi i manastirit, gruaja ka treguar pendim për gjësendet e vjedhura. Ajo është një person që vuan nga probleme psikike dhe nuk ishte e ftuar në dasmë. Tavolina e dhuratave kishte mbetur pa mbikëqyrje gjatë festës në korridorin e manastirit dhe gruaja në fjalë kishte përfituar nga kjo situatë.

Ajo nuk ka më nevojë të llogarisë për pasoja juridike, pasi ajo i ka sjellë përsëri të gjitha mallrat e vjedhura. “Nusja dhe dhëndri gjithashtu duan të tërheqin kallëzimin penal. Ata janë lehtësuar dhe atyre me siguri u ka rënë shkëmbi nga shpina”, thotë Bucher.