Nga Vlera Gjakova/
«Se pi Shkupit vina n’këtë vend na rina, ç’kasë spo shofna e ç’kasë spo nina…»- janë këto vargje të grupit rep nga Shkupi, Shkupi Flow. Janë këto vargje që për herë të parë i dëgjova në Çair, ku poshtë banesës ku jetova në vitet 90-ta, shkruheshin këto rreshta nga disa djem të rebeluar nga sistemi e padrejtësia, janë këto vargje ku shoqet e shokët, i këndonim gjatë orëve të hershme të natës, në parkun e Çairit, në shkollën fillore Liria, ishin këto vargje që më ndjeknin edhe si hije kur qëllimisht me rroshulla kaloja Urën e Gurit dhe bëja egzibicione poshtë kësaj ure me maqedonasit, duke iu demonstruar kulturën eksperimentale shqiptare.
Ndoshta isha vetëm 15 vjeçare, por e ndjeva të nevojshme të kujdesem për shoqërinë time, qofshin vajza apo djem, qofshin edhe motrat e mija, qofshin edhe fytyra që nuk i njihja asnjëherë.
Në këtë valëzim jetese, unë u rrita mes Shkupit e Pejës, mes Gjakovës dhe Prishtinës. Kështu rrugëtova edhe pas moshës 18 vjeçare, kështu vazhdojë edhe sot.
Unë jam edhe Çarshia e Vjetër e Shkupit por edhe Kapeshnica e Pejës, unë jam edhe Çairi i Shkupit por edhe Blloku i Ri i Gjakovës, unë jam edhe Buteli i Shkupit por edhe Mati i Prishtinës. Unë jam e çdo cepi të rebelimit të rrugëve në Shkup, Tetovë, Kumonovë, Prishtinë e Gjakovë sepse protestoj prej moshës 16 vjeçare për liri, barazi e drejtësi.
Këtu në Shkup më thërrasin Vlera e Gjakovës dhe në Prishtinë Vlera e Shkupit ndërsa neser do të më thërrasin Vlera e Parlamentit sepse me ndihmën tuaj unë do të dërgojë zërin e munguar të shqiptarëve të maqedonisë në parlamentin e Kosovës.
Pra, unë nuk kam qytet dhe vendlindje, sepse unë kam shumë qytete e vendlindje.
Jam një Lëvizje për të lëvizur çdoherë, sepse unë nuk shohë kufijë, sepse unë kam zgjedhur edhe-edhe dhe jo ose-ose.
Jam e nderuar që jam pjesë e listës e cila do të bëjë jo vetëm ndryshimin për Kosovën por edhe kthesën për shqiptarët.
Falëminderit e shihemi me 6 tetor në fitoren e madhe në Prishtinë./ina