Gazetari i njohur nga Maqedonia, Iljasa Abazi, në një postim të tij në Facebook, ka shtruar çështjen e fatkeqësisë së shqiptarëve të shpërndarë anëmembanë botës, me rastin e përfundimit të pushimeve verore dhe kthimit të tyre nëpër vendet respektive: “Nuk ka më rrugëve kolonë automjetesh, nuk ka më dasma siç kishte në muajin korrik. Ata shkuan nëpër vendet e tyre ku punojnë dhe veprojnë. Mërgimi mbetet plagë e cila jo që nuk po shërohet, por gjithnjë e më shumë po shtohet. Me vete morën edhe shumë fejesa me të rinj e të reja nga vendlindja, të cilët ju bashkangjitën atyre duke kërkuar një `jetë më mire` në vendet e Bashkimit Evropian. Largimi i tyre ështe fatkeqësi kombëtare, së cilës i kontribuon varfëria dhe papunësia. Vit pas viti numri i mërgimtarëve po rritet, e Atdheu po zbrazet !”, shkruan z. Abazi, duke vazhduar me një përgjigje ndaj një lexuesi: Është për t’i vajtuar Bashkim. Sipas disa të dhënave, Maqedonia nga mërgimtarët përfiton 700 milionë euro në vit, ndërsa ajo si shtet ç’ka po i ndihmonë ata?! Është shumë e dhimbshme se shumë të rinj po kërkojnë rrugën e Evropës, po i shtohet numri mërgimtarëve tanë. Rrugë e hidhur, po zbrazet vendi. E kujt po ia lëmë Atdheun ?! Mandej shtohet pyetja se po i presim ata?! Më ka rënë sy gjatë dy viteve të fundit, se mu në kohën kur vijnë mërgimtarët tanë, shteti fillon të punojë nëpër rrugë, gjë e cila edhe më shumë e vështirëson qëndrimin e tyre në vendlindje. Psh, në Kumanovë, mu në muajin korrik, para spitalit filluan ta asfaltojnë rrugën, që edhe më tepër e ngarkonin komunikacionin, përfundon Iljasa Abazi.