13:35:05               2019-09-11

 

Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) për herë të parë e ka privuar nga shtetësia zvicerane një shtetas të dyfishtë. Personi ishte dënuar me disa vite burg për propagandë dhe rekrutim të luftëtarëve për një organizatë islamiste terroriste, shkruajnë mediat zvicerane, njofton Shtegu.com.

SEM mund të privojë një shtetas të dyfishtë nga shtetësia zvicerane nëse ai person ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në interesat apo reputacionin e Zvicrës dhe kështu rrezikon sigurinë e vendit (neni 42 i Ligjit Federal për shtetësinë zvicerane). Ky rast ekzekutohet, për shembull, kur personi ka kryer një krim të rëndë në lidhje me aktivitete terroriste ose ekstremizëm të dhunshëm (neni 30 i Rregullores së Zvicrës për shtetësi.

Në këtë rast, kushte e SEM janë përmbushur në tërësi, informon më tej Shtegu.com. Personi ishte dënuar me disa vite burg për zbatimin e propagandës dhe rekrutimin për një organizatë të ndaluar islamike. Përveç shtetësisë zvicerane, personi në fjalë është privuar nga shtetësia e kantonit dhe e komunës.

Vendimi i SEM ende nuk është përfundimtar. Personi I prekur mund të apelojë në Gjykatën Federale Administrative.