15:02:57 2019-09-09
Drilon Pulaj është menaxher i lokalit tashmë të njohur dhe shumë të dashur për banorët në afërsi, restorantit Misar, në Wil të Zvicrës.
Driloni në Zvicër ka ardhur nga Prizreni para katër vitesh, duke u shndërruar në një afarist të suksesshëm në gastronominë zvicerane, megjithëse ka një diplomë për master në gazetari. Ushqimet e tij të restorantit janë shumë të preferuara, pasi ai përgatit ushqime tradicionale nga Kosova, por nuk mungojnë edhe specialtete zvicerane dhe ato ndërkombëtare.
Ngjarjet në Kosovë Driloni i përcjell me shumë kujdes, por vëmendjen e ka edhe te zhvillimet politike në Zvicër, sidomos kur bëhet fjalë për aktivitetet e bashkatdhetarëve tanë. Posaçërisht i ka lënë mbresa aktiviteti politik i bashkatdhetarit tonë tashmë të njohur në politikën zvicerane, Arbër Bullakaj. Për hir të tij, më 15 qershor të këtij viti, Robert Ukaj kishte organizuar një koncert në Zvicër, me këngëtarë e humoristë të njohur nga Kosova e Shqipëria, për të përkrahur Arbërin në fushatën e tij parazgjedhore për këshilltar nacional në Zvicër, ndërsa Driloni ishte mbështetës i madh i tij.duke organizuar zgarrë për të pranishmit.
Por, një veprim tjetër i tij ka ngjallur kurreshtjen e shumë njerëzve, duke u shpërndarë me të madhe nëpër rrjetet sociale. Në të vërtetë, Driloni ka vendosur të zëvendësojë tabelën e tij të menyve që e mban përpapra restorantit të tij, me pllakatën parazgjedhore të Arbërit, për gjashtë javë të tëra. Një veprim që doemos duhet përshëndetuar, duke pasur parasysh rrezikun se ndonjë mysafir mund të mënjanojë rrugën po të mos e shohë listën me menytë. Sidoqoftë, Driloni është tepër i lumtur që një bashkatdhetar i tij është në garë për ndonjë vend në Parlamentin zviceran, në rolin e këshilltarit nacional. « Reagimet e myafirëve ishin tepër interesante sepse filluan te interesoheshin më tepër për datën e zgjedhjeve dhe mënyren se si ka arritur Arbëri të kandidojë për këshilltar nacional. Bile, një mysafir më pyeti nëse mund ta gjej ndonjë pllakatë të Arbërit, që edhe ai ta vendosë në hapësirën e zyrës së tij të punës, pasi gjatë ditës po priste shumë kontraktues », rrëfen enkas për Shtegu.com, menaxheri shqiptar Drilon Pulaj.