Terminatori i ri do të duhej ta shënonte fillimin e një trilogjie të re. Mund t’ju duket se e keni dëgjuar këtë lajm diku më parë dhe keni absolutisht të drejtë. Terminator: Salvation nga viti 2009, me Christian Bale në rolin e John Connor, duhej të ishte fillimi i një trilogjie të re, ashtu si edhe Terminator: Genisys nga viti 2015, i cili përveç trilogjisë së filmit, duhej ta kishte edhe një shtojcë në formën e serisë televizive për ta plotësuar ngjarjen nga filmat.

Suksesi kritik dhe komercial i filmave të lartpërmendur rezultoi që të gjitha projektet potenciale të refuzohen, por James Cameron dëshiron shumë që “Terminatori” të ketë trilogji. Shpresojmë se kjo do të jetë “e treta e vërteta”, sepse filmi i ardhshëm “Terminator: Dark Fate” mendohet ta fillojë një trilogji të re.

Gjatë një interviste për Deadline, Cameron, i cili është i angazhuar si producent në film dhe është i përfshirë në krijimin e ngjarjes dhe shkrimin e skenarit, zbuloi se ai dhe skenaristët e krijuan një skenar që do t’i përfshinte tre filma, shkruan KOHA Ditore. Qëllimi ishte që ky skenar t’i prezantohej Linda Hamiltonit në mënyrë që ajo të bindej që të kthehej.

“Kemi kaluar javë të tëra duke e menduar një skenar dhe duke menduar se çfarë lloj ngjarjeje kemi dashur ta tregonim, në mënyrë që të mund të kemi diçka për t’ia prezantuar Lindës. I përvolëm mëngët dhe e filluam krijimin dhe i shikuam të gjitha si një histori përmes tre filmave, kështu që është një tregim i madh në të. Nëse jemi me fat që të fitojmë mjaft para me filmin ‘Dark Fate’, e dimë saktësisht se në ç’drejtim do të shkojmë”.

Image

Fati i franshizës “Terminator” tani është në duart e audiencës dhe kritikës. Se a do të jetë “Terminator: Dark Fate” mjaft i suksesshëm sa që t’i kemi edhe vazhdimet, këtë do ta zbulojmë në fund të tetorit kur fillon të shfaqet.