Ish eurodeputeti, Eduard Kukan, gjatë një interviste për Asociacionin Sllovak të Politikës së Jashtme, ka shprehur optimizmin e tij rreth rrugës eurointegruese të vendit. Sipas tij, Maqedonia e Veriut mund të merr datë për negociata në samitin e vjeshtës të BE-së. Ai ka theksuar se vendi i ka përmbushur kriteret për anëtarësim vite më parë, por BE ka anuluar hapjen e negociatave, dhe kjo sipas tij, ka qenë e “turpshme” dhe “demotivuese”.
Eduard Kukan
“Maqedonisë së Veriut mund t’i jepet datë konkrete në Samitin Evropian në vjeshtë, gjë që unë e vlerësoj si reale. Presidenti francez, Emanuel Makron, i cili kishte qëndrim kategorik për këtë çështje, duket se ka filluar të lëshoje pe”.
Megjithatë, Kukan nuk ka shprehur një optimizëm të tillë sa i përket Shqipërisë. Ai ka thënë se është më pak reale që të merr datë në tetor, pasi situata në Tiranë është krejtësisht më ndryshe.
Eduard Kukan
“Ata duhet të implementojnë shumë reforma gjyqësore, opozita e bojkoton Kuvendin dhe mbi të gjitha, shqiptarët nuk mund të gjejnë kompromis. Është joreale që Shqipëria të merr datë për negociata”.
Këshilli Evropian do të mblidhet sërish në tetor, kur mes tjeras do të diskutojë edhe për negociatat me dy shtetet ballkanike, pas vendimit të Komisionit Evropian për çeljen e tyre. Franca dhe Holanda vijojnë të jenë dy shtetet më skeptike sa i përket sjelljes së këtij vendimi./Shenja