2019-08-28

 

Shkëlzen HALIMI

Ndër elitat politike shqiptare me shumicë pati edhe të mitur politikisht, të cilët nuk ishin të aftë ta përdorin mendjen. Ata zakonisht shërbenin për kuorum, për ngritje gishtash ose për të kryer detyra terciare. Ata nuk përtonin të shkojnë të blejnë cigare, byrek, qebapë, ose të paguanin fatura të ndryshme të shefave të tyre… Çfarë mund të pritej nga të paaftët që nuk ishin në gjendje ta vënë në funksion trurin, së paku edhe për gjëra më elementare! Shumë nga ta, për shkak të dëgjueshmërisë, u shpërblyen me punësime (partiake) dhe ata vazhdimisht do të qëndrojnë në vijat e para “të frontit” zgjedhor… Politika e të miturve, megjithatë ishte efektive për ata që konsideroheshin jo truri, por muskujt e partisë…Refuzimi i kësaj katrahure nuk ishte e mundur, sepse nuk kishte kush ta refuzojë. Liria e të menduarit ishte një koncept që nuk mund të pengohej nga askush, por shprehja e lirshme e mendimit pengohej nga hamendjet e vet atyre që i kishin ato. Në fakt, shumica ishin pro-heshtjes që e impononin premtimet për zgjidhjen e problemeve ekzistenciale. Heshtja vërtet ishte “flori”. Midis lirisë së të menduarit dhe shprehjes së lirë të mendimit, ishte dilema e madhe hamletiane. Substancat mendore praktikisht kishin bërë zgjedhjen e nënshtrimit…

Drejtësia në jetën shoqërore dhe garantimi i lirive dhe të drejtave të individit asnjëherë nuk qenë parakusht i veprimit serioz të partive shqiptare, të cilat “topin” e hidhnin në pjesën e fushës së partnerit. Ky fakt, i cili kurrë nuk u trajtua dhe nuk u mor në konsideratë, tregon se subjektet politike shqiptare, më shumë nga naiviteti, morën pozicionin e lypsarit të të drejtave të tyre. Kjo strategji, e cila asnjëherë nuk u mënjanua nga veprimi politik i shqiptarëve, fatkeqësisht shkaktoi edhe shumë probleme, mbase tragjike në raportin pushtet – shqiptarë, të cilët akoma luftojnë për të drejtat e tyre të natyrshme, për të cilat pala tjetër, pa pasur asnjë argument, mendonte dhe mendon se janë kërkesa të rrezikshme dhe të panatyrshme, konstatime këto që krijuan hapësirë të mjaftueshme për t’i pasur shqiptarët nën kontroll të plotë, me qëllim që energjinë e tyre (të shqiptarëve) ta kanalizojnë vetëm në politikat lypsare.