12:19:25 2019-08-24
Në një shtëpi në Bösingen FR të Zvicrës, të enjten në mbrëmje ka ndodhur një aksident i rëndë. Dy adoleshentë kanë qenë duke manovruar me një pistoletë. Me këtë rast është shkrepur një plumb, nga i cili është vrarë njëri nga 14-vjeçarët. Banorët janë të shokuar, shkruan «Blick», informon Shtegu.com.
Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së enjtes rreth orës 23.00. Në bodrumin e një shtëpie në Bösingen FR dy 14-vjeçarë po manovronin me një armë zjarri. Për një moment, një plumb u shkrep dhe goditi njërin nga dy adoleshentët në zonën e gjoksit.
Megjithë masat e menjëhershme të ringjalljes, adoleshenti i ri vdes në vend. Menjëherë kanë filluar hetimet për të sqaruar rrethanat e sakta, siç shkruante Policia Kantonale e Friburgut në një komunikatë, njofton Shtegu.com.
Policia ende nuk ka dhënë informata se si arma ka rënë në duart e adoleshentëve dhe kujt i përket. Madje edhe as çfarë lloj arme ishte. Zëdhënësi i policisë, Martial Pugin ka thënë vetëm: “Ishte një armë zjarri”. Gjykatësi për të mitur ka hapur një hetim për këtë rast.
Banorët fqinja janë shokuar nga tragjedia. Një fqinj i afërt për «Blick» ka deklaruar: “Së pari kam dëgjuar thirrje për ndihmë. Pastaj erdhi policia. Nuk dija çfarë kishte ndodhur. Në orën katër erdhi një automjet për kufoma dhe e kuptova se diçka e tmerrshme duhet të ketë ndodhur”. Në këtë shtëpi banon një familje me dy djem (12 dhe 14 vjeç).
“Kam dëgjuar shpesh se ka pasur grindje, madje edhe mes vëllezërve”. Babai ishte shpesh larg shtëpisë për biznes, por tani është kthyer në shtëpi. “Thjesht, është një tragjedi e rëndë ajo që ka ndodhur. Papritmas vritet një i ri”.
Një tjetër fqinje ka pohuar: “Doja të kthehesha në shtëpi natën vonë, kur i pashë disa automjete policie dhe ambulance”. Kur ajo e pa helikopterin, menjëherë e kuptoi se kishte ndodhur diçka. “Një djalë ishte ulur në rrugë jashtë duke qarë. Ishte e tmerrshme».