11:24:02              2019-08-13

 

Natën e së dielës (11.8.), në kryqëzimin Hermann-Albertz-Strasse / Linsingenstrasse në Oberhausen të Gjermanisë, midis dy grupeve të personave është shkaktuar fillimisht një zënkë verbale, për t`u përshkallëzuar në një përleshje fizike.

Gjatë kësaj, tre persona, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor, pësuan plagë me thikë dhe prerje të ndryshme. Asnjëri prej viktimave nuk ishte rrezikuar me jetë, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Shtegu.com.

Përkohësisht janë arrestuar dy persona nga Shqipëria (18, 25) si të dyshuar kryesorë. Me kërkesë të prokurorit të Duisburgut, ata janë paraburgosur.

Ende nuk dihen shkaqet dhe motivi i zënkës, ndërsa organet përkatëse të hetuesisë po i zhvillojnë hetimet e nevojshme.