LSDM ka reaguar lidhur me video materialin e fundit të publikuar nga gazeta italiane “La Verita”, ku Boki 13 përmend edhe kryeministrin Zoran Zaev. Sipas kësaj partie, personat që përmenden në material janë drejtpërdrejt të lidhur me VMRO-DPMNE-në, përcjellë INA.

“Personat që janë në këto materiale janë të lidhur drejtpërdrejt me VMRO-DPMNE-në, si dhe personat që i publikojnë materialet. Këto janë skema të Nikolla Gruevskit. Çdokush që ka shpresuar se me publikimin e këtyre video materialeve do të kompromitohen dëshmitë që të mos jenë pjesë e procedurës gjyqësore dhe të shpëtojnë, është mashtruar. Materiali është arsye shtesë për të shpejtuar hetimet dhe të jepen përgjigjet për nxitësit, organizatorët dhe autorët e këtij rasti. Hetimi patjetër duhet të përfshijë të gjithë personat e përfshirë në këtë rast nga i pari deri tek i fundit”, ka theksuar partia që drejtohet nga Zoran Zaev.

Sipas LSDM, institucioent duhet shpejt të veprojnë për zbardhjen e rastit dhe përgjegjësi për të gjithë, por edhe për tajkunët e regjimit për të cilët janë të hapur lëndët në Prokurorinë Speciale dhe që shfaqen në këto materiale. (INA)