Grafa për “shtetësi” në certifikatat e lindjes, të kurorëzimeve dhe të vdekjes, që deri tani ka qenë e plotësuar me viza të pjerrëta, tani e tutje do të plotësohet me shkrimin “maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Nga ana tjetër për bashkësitë e tjera etnike përfshirë këtu edhe shqiptarët shtetësia do të jetë “e Maqedonisë/ qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Kështu njofton Drejtoria për udhëheqjen e librave amë të cilët thonë se vonesa e deritanishme ka ndodhur për shkak të zbatimit të procedurave adekuate në sistemin elektronik.Në pajtim me nenin 2 paragrafi 3 nga Ligji kushtetues për zbatim të amendamenteve nga 33 deri 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në grafën e ‘shtetësisë’ në ekstraktet e lindjes, kurorëzimeve dhe të vdekjes, të dhëna para dhe pas hyrjes në fuqi Marrëveshjes përfundimtare mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, duhet të shkruhet e Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut – njoftojnë nga Drejtoria për udhëheqjen e librave amë.

Ky ndryshim buron nga Marrëveshja e Prespës, e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Në fazën e ndryshimeve kushtetuese, deputetët e Lëvizjes Besa kushtëzuan votat për emrin e ri të shtetit duke kërkuar saktësimin e shtetësisë për shqiptarët me “qytetar i Maqedonisë së Veriut”, ndërsa në mënyrë plotësuese kërkuan edhe përfshirjen e përkatësisë etnike në letërnjoftime. Zaev aso kohe kishte garantuar dhe deklaruar se marrëveshja do të realizohet pas përmbylljes së ndryshimeve kushtetuese. Procesi u shty për pak muaj si pasojë e zgjedhjeve presidenciale. Por Qeveria akoma nuk ka propozim konkret për zgjidhjen ligjore të kësaj çështjeje. Sipas organit ekzekutiv, trupat qeveritar janë duke shqyrtuar ligjin, por nuk jepet datë konkrete kur pritet që propozimet të dorëzohen në Kuvend. Me ndryshimet e parapara sipas marrëveshjes, në letërnjoftime do të shkruajë përkatësia etnike, ndërsa qytetarët do të kenë të drejtë ekskluzive që përmes plotësimit të formularit gjatë aplikimit të kërkojnë ose jo që në dokumentet e identifikimit t’i shkruaj përkatësia etnike. /Alsat