Lexuesit sot nuk patën mundësi të lexonin të përditshmet “Zëri”, “Bota Sot” e “Epoka e Re”, pasi që të njëjtat nuk dolën fare në shtyp.
Arsye për këtë duket të ketë qenë një problem në shtypshkronjën ku botohen të tri gazetat e sipërpërmendura.
Redaksia e gazetës “Zëri”, përmes një njoftimi të lëshuar në faqen e saj online, ka thënë se mosdalja e gazetës në shtyp ka ardhur si pasojë e problemeve teknike në shtypshkronjë, duke mos specifikuar se për çfarë problemi bëhet fjalë.
Por, Koha.net ka kontaktuar me drejtuesit e gazetës “Epoka e Re”, të cilët kanë thënë se arsye për mosdaljen e kësaj gazete në treg ka qenë mungesa e letrës në shtypshkronjë.
Drejtor i Përgjithshëm i “Epokës së Re”, Sadik Zeqir, ka thënë se edhe gazeta e tyre shtypet në shtypshkronjën e “Zërit”, dhe në mungesë të letrës në shtypshkronjë nuk është mundësuar dalja në treg e gazetës për ditën e sotme.
Ai ka shtuar se megjithatë, problemi duket se është zgjidhur dhe gazeta del nesër në treg.
“Ishin disa probleme teknike në shtypshkronjë por gazeta del nesër e shtypur në treg”, tha ai.
Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me drejtuesit e “Botës Sot”, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Ndërkaq, arsyeja e mungesës së letrës mësohet se ndërlidhet me një problem që ka ndodhur në Doganën e Kosovës në Aeroport tash e tri ditë.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci, për Koha.net ka konfirmuar se ka rënë sistemi i internetit në “cargo”, dhe për këtë arsye mallrat nuk kanë mundur të zhdoganohen, por ka thënë se problemi tashmë është rregulluar dhe procesi mund të vazhdojë. Megjithatë, ai nuk ka mundur të konfirmojë nëse në ngarkesat e bllokuara në Doganë ka mundur të jetë ndonjë me letër.
Kujtojmë se lexuesit sot kanë mundur të informohen si çdo ditë përmes gazetës numër një në vend, “Koha Ditore”.