Deformimi i vëmendjes publike me interesime efemere që lidhje s’kanë me çështjet jetike të përditshmërisë sonë, nuk do të ngelë edhe pa kosto, sidomos sa i përket krijimit të raporteve në mes të medias dhe temave e ngjarjeve. Ky deformim mund të metastazohet nëse nuk parandalohet, kurse parandalimi nuk mund të ndodhë vetvetiu

Nga Emin AZEMI

Çarshia jonë e muhabeteve të kota gjithmonë ka nevojë për një atribut krenarie që do të kompensonte të gjitha humbjet me një gjest të vogël që paketohet si patriotizëm.

Nuk flitet shumë pse ish drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) Sasho Mijallkov, iu mundësua do të mbrohet në liri, por bëhen komente se ‘filan prokurorja nuk po i a jep pasaportën Mijallkovit’.
Njeriu është i lirë, madje edhe gëzon kondicion të mirë politik për aksham pazare me segmente të caktuar të pushtetit. Ne nuk duhet të gëzohemi pse Mijallkovi nuk mund ta merr pasaportën që të udhëtojë jashtë shtetit, por duhet të irritohemi që ai është në liri, pas gjithë atyre akuzave e pandehmave që e ndërlidhnin me shumë fenomene korruptive e kriminale.

Efektet karamelizuese të potezave të lirë që badihavistika jonë nëpër portale iu jep zë e figurë, jetëgjatësinë e tyre e masin me injorancën e atyre që besojnë në efekte të tilla. Madje ende ka gjallesa me dy këmbë që besojnë se Mijallkovi do të kalonte më mirë sikur të mos ishte një prokurore special shqiptare, e cila po ia bëka tetë me dy këtij far kapadaiu. Ajo, dhe vetëm ajo, s’po ia jep pasaportën Mijallkovit. Çfarë heroizmi i padëgjuar i përmasave mitike. Kjo i bie se komplet PSP është e pajtimit që Mijallkovi ta merr pasaportën, por ja që ka ndodhur një prokurore e cila e ka bë kryet qyski dhe po e kundërshton një gjë të tillë. Kjo vërtetë të eksiton deri në dhembje.
Ne edhe përgjegjësitë kolektive të institucioneve çuditërisht i përkthejmë në merita individuale, ndërkohë që nëse kërkojmë sqarime plotësuese se pse nuk u zbardhën fajtorët kryesorë të rastit ‘Monstra’, pse mbahen prapa grilave të dënuarit e gabuar shqiptarë të rastit ‘Alfat’, ose kush e inskenoi ‘Kumanovën’, askush nga PSP nuk merr përgjegjësi individuale. Madje as badihavistika e shtrirë gjerë e gjatë nëpër portale nuk kërkon përgjegjësi individuale nga ndonjë prokuror i Speciales, përfshi edhe këtë që tash ‘po ia nxinë jetën Mijallkovit’ me mosdhënien e pasaportës.
Krejt kjo qasje publike ndaj temave e fenomeneve burimin e ka në projektimin e gabueshëm të rolit që mediat e kanë aktualisht. Titujt në stilin ‘filani e godet fistekun…’, ose fragmentet idiotike në tekste gjysmake ku shkruan ‘shtype reklamën nëse donë ta shikosh videon…’, janë konstrukte të këqija mediatike që si nusprodukt e kanë mungesën e edukimit të mirëfilltë të hajnave me laptopë në duar që kanë vjedhur veglat e gazetarëve e redaktorëve.
Deformimi i vëmendjes publike me interesime efemere që lidhje s’kanë me çështjet jetike të përditshmërisë sonë, nuk do të ngelë edhe pa kosto, sidomos sa i përket krijimit të raporteve në mes të medias dhe temave e ngjarjeve. Ky deformim mund të metastazohet nëse nuk parandalohet, kurse parandalimi nuk mund të ndodhë vetvetiu. Për këtë nevojitet një strategji e tërë mediale dhe një armatë e njerëzve vullnetmirë dhe profesionistë të rryer që në bashkëpunim me institucionet do të vendosnin rend e disiplinë në përhapjen e informacionit në publik. (koha.mk)