Këshilltari i Komunës së Ohrit nga radhët e BDI-së, Nefi Useini, përsëri u përfshi në një sulm fizik, raporton tv21. Kësaj radhe viktimë e tij ishte profesori i UEJL, Ilaz Ilazi. Incidenti ka ndodhur dje paradite, ndërsa në zënkë për t’ia mbajtur krahun Useinit, është përfshirë edhe një person tjetër. Sipas informatave jozyrtare, arsyeja e sulmit është se profesori Ilazi ka paraqitur kyçje ilegale të rrjetit të ujësjellësit në ndërtesë, ku ai është kryetar i këshillit. E kjo kyçje ilegale është bërë nga Useini. Thuhet se personat në fjalë nuk janë njohur mes vete më parë dhe takimi i parë ka rezultuar me dajak.

Më 29.07.2019 rreth orës 10, në rrugën “Sateska” në Ohër, është prishur rendi dhe paqja publike nga sulmi fizik, i kryer nga N.U. (44) dhe një person tjetër, mbi personin I.I. (60) nga Ohri. N.U.u thirr në stacion policie dhe u zhvillua bisedë zyrtare. Do të ngritët akuzë e përshtatshme kundër tij dhe sulmuesit të dytë”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Partitë qeveritare, në koalicion BDI dhe LSDM thonë se çdo akt ilegal duhet të dënohet, pa marrë parasysh se për cilin funksionar bëhet fjalë. Kryeministri Zaev thotë se Komuna e Ohrit ka sjellë vendim për largimin e Useinit dhe pritet që procedura të fillojë.

Pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë, a për LSDM-në, apo për Shën LSDM-në, apo prej kudo qoftë, nëse ka gabuar ligjet vlejnë njëjtë për të gjithë. Komuna e Ohrit vetëm se ka sjellë vendim për largimin e tij, pritet që procedura të fillojë. Nëse nuk kanë guxim dhe mundësi që ta kryejnë këtë punë, atëherë në përputhshmëri me ligjin i merren ingerencat dhe do të veprojë Qeveria”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Bujar Osmani thotë se si parti nuk do t’i qëndrojnë pas askujt që vepron kundër ligjit.

Nëse dikush ka thyer ligjin institucionet duhet të veprojnë dhe BDI absolutisht nuk do të mbron dhe nuk do t’i qëndron prapa askujt. Unë mendoj se nuk duhet paragjykuar në bazë të luftërave politike lokale që bëhen atje dhe pastaj transmetohen këtu në Shkup, në forma të ndryshme. Por duhet të hulumtohet qartë, të merret qëndrimi edhe i palës tjetër dhe të shihet. BDI do të analizojë këto lajme dhe informacione, do të dëgjohen të gjitha palët, për të parë të vërtetën e këtyre zhvillimeve”, u shpreh Bujar Osmani nga BDI.

Për rastin në fjalë reagoi edhe VMRO-DPMNE.

“Useini sipas dëshmive të viktimës  ka vjedhur ujë nga ai. Ai është kyçur në mënyre ilegale në rrjetin e ujësjellësit të viktimës. E kur ai ka thirrur ekipin e Ujësjellësit, ka qenë i sulmuar fizikisht. Sipas dëshmisë së viktimës, Useini ju ka kërcënuar me fjalët, Unn jam këshilltari Nefi dhe do të të vras. Edhe përkundër fotove që janë dëshmi dhe mediave, Nefi Useini është ende në liri. Prokuroria publike dhe policia po e mbrojnë”, theksoi Ivica Tomovski nga VMRO-DPMNE.

Kritika për ndaj pushtetit dërgoi edhe ASH.  “Derisa qytetarët e rëndomë për çdo ditë dënohen nga inspekcionet e ndryshme komunale dhe shtetërore, kjo sikur nuk vlen për të përkëdhelurit dhe kriminelët e BDI-së dhe LSDM-së”! – thonë nga partia e Selës.

Ndryshe ky është sulmi i tretë për katër muaj që përfshihet Usaini. Ai sulmoi një inspektor nga Shkupi në prill i cili dëshironte të mbikëqyrë ndërtimet e paligjshme që po ndërtoheshin nga këshilltari në Komunën e Ohrit. Në qershor, Useini goditi kolegun e tij të këshillit, Xhelal Mena./TV21