Ditën e parë që erdhi për pushime në Maqedoninë e Veriut, një mërgimtar shqiptar nga Zvicra është befasuar me llogarinë boshe të kontos së tij personale. Ende pa bërë një sy gjumë pas pothuajse dy mijë kilometrave rrugë të gjatë me veturë, me sy të mbyllur nga stërlodhja, ai është dashur të ballafaqohet me katrahurat e burokracisë në strukturat e Komercialna Banka SHA në Shkup.

I mllefosur nga reagimi i nëpunësve bankierë, ai i është drejtuar Redaksisë së Shtegu.com, duke i deponuar të gjitha dokumentet e paqarta rreth “plaçkitjes” së tij nga banka në fjalë. Bëhet fjalë për një kredi të dyshuar të më shumë se dhjetë viteve, e lëshuar nga banka e sipërpërmendur për mërgimtarin që atëbotë ishte banor në Maqedoninë e Veriut.  Më pas, ai emigron në Zvicër dhe kohëpaskohe dërgon mjete financiare në konton e tij të rregullt, të cilat trajtohen në mënyrë korrekte nga banka deri më 22 maj të këtij viti, kur papritmas përmbaruesi Hristo Jovanov ia bllokon mjetet financiare në një shumë prej rreth 600 eurosh. Pas interesimit të bashkatdhetarit për rrjedhën e kredisë, nëpunësit e kanë keqtrajtuar në lloj- lloj forme, duke mos i dhënë sqarime të sakta se për çfarë kredie bëhet fjalë.

“Nuk po mund të gjejmë të dhëna të sakta për kredinë, pasi bëhet fjalë për një kredi të likuiduar nga viti 2008 dhe nuk ka të dhëna të tjera. Juve duhet t’ju kujtohet se sa e keni paguar e sa i keni mbetur borxh bankës. Kaq mund t’ ju themi dhe ju urojmë një ditë të mbarë”.

Nga ana tjetër, përmbaruesi Jovanov gjithashtu nuk e ka të qartë se përse bëhet fjalë, “vetëm se ka disa mosmarrëveshje me bankën”, ka pohuar ai në insistimin e mërgimtarit për ta ndriçuar rastin deri në fund. Sipas të gjitha gjasave dhe vlerësimeve të juristëve, bëhet fjalë për një vepër të vjetërsuar dhe kjo mund të rregullohet përmes gjykatës.

Mërgimtari i revoltuar, në fund deklaron: “Më kaloi pushimin nëpër sportele, herë me EVN, herë me ujin e herë me përmbaruesit. Në perëndim vërtetë plaçkiten bankat, por në vendlindje bankat po na plaçkitin neve. Do ta vazhdoj rastin deri në gjykatën më të lartë dhe dua të distancohem dhe ç’lajmërohem publikisht nga një bankë që nënçmon, ironizon dhe degradon klientët e saj pa kurrfarë shpjegimi”, ka përfunduar ai duke grisur të gjitha dokumentet e kësaj banke.

P.S Së shpejti do të publikohen edhe shkrimet e nëpunësve me emra e mbiemra drejtuar mërgimtarit, përmes emaileve në Zvicër.