09:01:14             2019-07-21

 

 

Me prejardhje nga Gjilani i Kosovës, Shqipe Déforel kohën e ndanë me pejsazhet e bukura alpike dhe punëtorinë e saj në Vuadens. Ajo është duke përjetësuar një zeje tradicionale pothuajse të harruar: Fabrikimin e një lloj tjegullave të drunjta.

Tash e disa vite, gruaja e re me plot energji dhe me sy mgjyrë kafeje, Shqipja e ka lënë Kosovën për tu vendosur në Zvicër. Ajo edhe më tej e kujton habinë e saj të madhe gjatë qëndrimit në rrethinën Gruyère “ku lopët defilonin me kurora lulesh mbi kokë. Asnjëherë më parë nuk e kisha parë një gjë të tillë”. Në një stan në Roter Sattel, i vendosur rrëzë vargmalit Gastlosen, gjatë sezonit veror ajo është e angazhuar si ndihmëse në punët blegtorike, së bashku me bashkëshortin e saj. “Një jetë e thjeshtë, pa korrent elektrik dhe banjo, por kjo më ka pëlqyer. Edhe sot e kësaj dite, kur zbres nga mali, tingujt e zileve më mungojnë pa masë”, shton ajo.

 

E vendosur në një banesë të fermës familjare në Vuadens, ajo është mahnitur nga gjithë ata drunj përreth saj. “Në Kosovë, shumica e shtëpive janë të ndërtuara me tulla, ndërsa druri kryesisht përdoret për djegie”.

Dëshira e saj për ruajtjen e traditave zvicerane, e zhyti në një sfidë të re edhe jo aq të kehtë. “Kur mjeshtri zviceran i tjegullave të drunjta, Lucien Carrel, i tha bashkëshortit tim se është duke kërkuar ndokend për fabrikimin e tyre, unë u paraqita personalisht. Bashkëshorti im u shqetësua, duke gjykuar se kjo zeje është një punë e rëndë për një grua, por unë isha e vendosur që ta mësoja. Brenda gjashtë ditësh ma mësoi sadopak zejen e tij, mënyrën se si të përpunohet druri dhe ma transmetoi dashurinë për drurin. Mandej, i kënaqur me punën time, ai më punësoi. Është një punë e rëndë fizike, por emocionale pasi çdo element i drurit është unik dhe kërkon përshtatje, sipas nevojës së drurit. Në Kosovë, unë punoja në një furrë buke dhe asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja se ekzistojnë elemente të tilla të drurit”, ka pohuar Shqipja për gazetën “La Gruyere”, përcjellë “Shtegu.com”.

Në punëtorinë e saj të vendosur nën apartamentin e tyre qëndrojnë të gjitha pajisjet e nevojshme për përpunimin e lementeve të drurit. “Përpunimi i drurit fillon nga tetori-nentori kur druri është ende i gjelbër. Pothujase tre vite po bëhen që i përkushtohem me orar të plotë. E dua kontaktin me drurin, pasi më pëlqen pa masë”, vazhdon më tej Shqipja duke rrëfyer për mënyrën e përpunimit të elementeve të drurit. Këtë punë ajo e bën me kënaqësi, respekt dhe vlerësim të madh. Në mes tjerash, ajo ende nuk ka mundur të takojë ndonjë tjetër femër në këtë profesion. Për zviceranët është vështirë të shqiptohet emri i saj, por ajo u rrëfen se për cilin shpend bëhet fjalë dhe ata e kuptojnë.

Për Shqipen tashmë është shkruar edhe një enciklopedi e vogël nga shkrimtaret zvicerane Melanie Rouiller dhe Marie Rime, me titull “Le Chalet d`Alpage”, e cila është botuar para katër viteve dhe mund të gjendet për blerje në Muzeun e qytezës Bulle në Zvicër, informon Shtegu.com. Në te përshkruhet një pjesë e jetës së Shqipes në Alpet zvicerane, ndërsa nuk mund të publikojmë hollësira të tjera për shkak të së drejtës autoriale.

Për Shqipen u interesuan edhe shumë media shqiptare, duke i ofruar përgatitje të reportazheve televizive. Mirëpo, Shqipja mbetet edhe më tej modeste në ambiciet e saj për ta kultivuar edhe më tej zejen e drurit zviceran dhe mbetet gruaja më unike në Zvicër, me këtë profesion të rrallë.