Ballina all Cuculi: Kur je punëtor, ia del çdoherë

Cuculi: Kur je punëtor, ia del çdoherë

117
0
 

U largua nga Maqedonia si 14 vjeçar së bashku me familjen e tij, për të vazhduar jetën në Zvicër.Telegrafi Maqedoni ka biseduar me kardiologun me prejardhje nga Kërçova Florim Cuculi i cili rrëfen rrugën e tij drejt suksesit në një shtet të huaj. Dashuria për punën dhe përkushtimi ndaj të bërit mirë ka bërë që Florim Cuculi të gëzoi një karrierë plot suksese, pasi siç thotë ai: “Kur je punëtor ia del gjithmonë”.

Intervistoi: Valon Osmani

 

Jeni me prejardhje nga qyteti i Kërçovës, por aktualisht punoni si mjek në Zvicër. Na tregoni rrugëtimin tuaj si u larguat nga Kërçova dhe ndërtuat karrierë në Zvicër?
Unë kam ardhur në Zvicër si 14 vjeçar në vitin 1991. Babi im ishte duke punuar në Zvicër dhe kur filloj prishja e Jugosllavisë u shpërngul e tërë familja në Zvicër. Këtu e kam kryer gjimnazin dhe fakultetin e mjekësisë. Më vonë u largova për specializim në Oxford të Anglisë por që nga viti 2012 jam kthyer në Zvicër dhe punoj si kardiolog në spitalin kantonal të Luzernit. Ne jemi një qendër shumë e madhe për kardiologji dhe unë jam shefi i kardiologjisë intervente dhe co-shef i departmentit të kardiologjisë.

 

Sa ka qenë e vështirë të përshtatesh me jetën atje, konkretisht keni hasur në ndonjë pengesë ose paragjykim? 
Shpërngulja në një vend tjetër nuk është asnjëherë e lehtë. Por unë kam arritur të adaptohem mirë në rrethanat e reja atëhere dhe kam qenë shumë i fokusuar në mësim dhe në karrierë. Natyrisht që ka pasur edhe vështirësi por kur je punëtor, ia del çdoherë.

Ka pasur raste kur jeni ndjerë i diskrimunuar nga zviceranët?
Diskriminim ndoshta mund të ketë pasur në bazë individuale por asnjëherë diskriminim sistematik. Nuk është Zvicra vend i padrejtë edhe nuk ka qenë as para gati 30 viteve kur kam emigruar unë. Në sistemin shkollor, si në gjimnaz ashtu edhe në fakultet unë e kam pasur ndjenjën që jam trajtuar si i barabartë gjithmonë. Në punë vlerësohet angazhimi dhe pasi që kam qenë shumë punëtor, kam qenë çdoherë tepër i respektuar dhe i kërkuar nga punëdhënësit.

Pse vendose të studiosh mjekësi? 
Nuk mund ta paramendoj veten më të lumtur dhe më të përkushtuar në ndonjë profesion tjetër.

E kujt ka qenë dëshira për tu bërë mjek, e jotja apo ka qenë propozim i prindërve? 
Nuk ka prindër në botë që nuk kanë dëshirë fëmijët t’ju bëhen mjek ose mjeke. Unë kam 2 djem dhe sikur së paku njëri të bëhej mjek do gëzohesha shumë. Por në rastin tim une e kam pasur dëshirën e madhe të bëhem mjek vetë. Prindërit në fakt nuk më janë përzier aspak në këtë aspekt. Edhe në retrospektivë besoj që ka qenë profesioni perfekt për mua.

Sa jeni i kënaqur me atë që ju ka ofruar Zvicra në shkollim?
Në Zvicër sistemi i edukimit të lartë është shumë cilësor dhe e mira është që t’i nuk duhet të marrësh borxh të holla që të studiosh, ta marrim shembull si në ShBA. Unë i jam tepër falemderues Zvicrës për këtë mundësi që ma ka ofruar. Por, natyrisht që ata e kanë bërë sepse tani i shërbej këtij shteti dhe jam taksapagues i rregullt.

Çfarë të ka dhënë Maqedonia dhe cfarë Zvicra? 
Maqedonia?! Me këtë shtet nuk kam qenë i ngrohtë asnjëherë. Sepse e kam ndjerë veten vazhdimisht si qytetar i rendit të dytë. Shpresoj kjo ndjenjë të kaloj. Unë e dua shumë vendlindjen, i dua njerëzit, por me Maqedoninë si shtet nuk kam lidhje emocionale. Zvicra mi dha të gjitha mundësitë!

Nëse do të kërkohej ndihma juaj, do të vinit në Maqedoni dhe të jepni kontributin tuaj? 
E kam thënë shpesh herë publikisht. Kur do të kenë nevojë njerëzit e mi nevojë për mua, unë aty do të jem.

Një mesazh për të gjithë ata që duan të studiojnë mjekësi, çfarë i këshilloni?
Bëhuni studentë dhe mjekë të mirë. Trajtoni njerëzit ashtu si do të donit t’ua trajtojnë prindërit tuaj. Për mua është tmerr kur takoj mjek arrogantë. Është profesion me pergjegjësi, kërkon përkushtim dhe durim. Në rast se nuk je i gatshem t’i ofrosh këto vlera mirësie, mos u bëj mjek.

Mjeku Florim Cuculi do të mbetet gjithnjë në shërbim të njerëzve për të plotësuar misionin e tij human ashtu siç e kërkon mjekësia. Historia e tij është mesazhi më i mirë se për një njeri që e do profesion që e ushtron, sukseset nuk mungojnë kurrë. /Telegrafi/