10 vite pasi u bë i famshëm me deklaratën e tij për kufirin Llojan-Miratoc, 91 vjeçari Isen Iseni,  sërish ka folur në këtë temë, shkruan gazeta Lajm.  Iseni, i njohur si plaku i Llojanit ka dëgjuar një ditë më parë premtimin më të ri të qeverisë së Shkupit për hapjen e kësaj pike kufitare, por thotë se politikanët as këtë herë nuk do të mbajnë fjalën.

Edhe banorët tjerë të Llojanit, që intervistoi ekipi i gazetës Lajm, nuk i besojnë paralajmërimeve që dolën një ditë më parë nga Qeveria,  për hapjen e pikës së re kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në fshatrat kufitar Llojan-Miratoc.

Kryetari i bashkësisë locale të fshatit Llojan, Selami Mehmeti, thotë se këtij vendimi nuk do t’i gëzohet para kohe.

Pas shumë premtimeve të parealizuara të krerëve të BDI-së, zyrtarët shqiptarë në Qeverinë e Shkupit ditë më parë fajësuan Beogradin zyrtar për mungesë interesi për hapjen e kësaj pike.  Megjithatë një ditë më parë, sërish premtuan hapjen e pikës kufitare Llojan-Miratoc. Këtë premtim e përsëriti sërish sot zëdhënësi i qeverisë Muhamet Hoxha.

Distanca mes Llojanit që bie në Maqedoni dhe Miratocës në Serbi është vetëm 2 kilometra, por banorët shqiptarë të këtyre dy fshatrave që kanë lidhje të ngushta farefisnore, për të bërë vizita mes veti duhet të përshkojnë mbi 70 kilometra dhe të shpenzojnë shumë para. /Gazeta Lajm/