15:54:01                  2019-07-03

Një shoqëri që nxjerr sportistë, që me talentin e tyre përfaqësojnë vlerat më kulmore në një arenë më të gjerë garimi, meriton më shumë vëmendje. Trivialiteti i përditshmërisë sonë, i ngarkuar me tema bajate politike që nuk prodhojnë kurrfarë progresi, ka ndikuar që të eklipsohen sukseset dhe të arriturat e individëve

Nga Emin AZEMI

Javën që shkoi u bëmë edhe me një medalje të artë. Djaloshi nga Shkupi, Besir Alili, na bëri të ndjehemi të gjithë kampionë. Si anëtar i klubit të mundjes “Liria” dhe i reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut, ai u bë kampion të Evropës në mundje për kadetë në kategorinë +48 kg në gata që u mbajtën në Faenza të Italisë, titull ky që flet për një talent të jashtëzakonshëm në sportet luftarake. Ky rezultat i Alilit është një e arritur historike për sportin e mundjes. Ai në finalen e madhe fitoi ndaj armenit Harutjun Hovanisjan.

Shkupi edhe më parë ka nxjerrë kampionë. Shaban Tërstena, Shaban Sejdiu, Azis Salihu janë emrat e një historie të suksesshme, jo vetëm në sport, por përgjithësisht në përpjekjet e shqiptarëve të këtushëm për të qenë në hap me konkurrentët e mëdhenj të botës.
Një shoqëri që nxjerr sportistë, që me talentin e tyre përfaqësojnë vlerat më kulmore në një arenë më të gjerë garimi, meriton më shumë vëmendje. Trivialiteti i përditshmërisë sonë, i ngarkuar me tema bajate politike që nuk prodhojnë kurrfarë progresi, ka ndikuar që të eklipsohen sukseset dhe të arriturat e individëve. Një faj në këtë drejtim kanë edhe mediat, të cilat pa ndonjë kriter të qëndrueshëm profesional po fokusohen vetëm në tema të ashtuquajtura të mëdha, ndërkohë që në shoqëri, siç është rasti me talentin Besir Alili, ndodhin minibeteja të lavdishme që na bëjnë të ndjehemi dinjitoz dhe të barabartë në botën e madhe të konkurrencës.
Shkupi dhe qytetet tjera kanë oferta të shumta si në sport ashtu edhe në art, mirëpo kujdesi institucional duhet të jetë në harmoni me kërkesat që kanë talentë. Ministria e Kulturës, e Arsimit dhe dikasteret tjerë do të duhej të zhvillojnë politika më të guximshme drejt favorizimit të talentëve, puna e të cilëve është një mirënjohje kolektive për gjithë neve.
Rasti i Besir Alilit do të na duhej ta na inkurajojë që të nxisim edhe më tepër klubet, shoqatat dhe asociacionet tona që të përgatisin në të ardhmen talentë të fushave të ndryshme, për arsye se vetëm në këtë mënyrë ne si shoqëri mund të jemi konkurrues në tregun europian të vlerave, atje ku të gjithë po synojmë të shkojmë.
Nëse dikush e ka paramenduar Europën vetëm si klub të politikanëve, sigurisht do ta ketë nxënë gabimisht leksionin europianizmit. Vetëm duke nxjerrë në pah më të mirin në mesin tonë, dhe duke i dhënë atij krah që të na prezantojë në botë, do të mund të dëshmojmë se jemi të denjë të quhemi evropianë të njëmendët. Nëse e bëjmë të kundërtën, do të ngelim një vilajet i errët. (koha.mk)